Lëvizja studentore e Dhjetorit të vitit 1990 është historike pasi që nga data 8 deri në datën 12, kjo lëvizje solli pluralizmin politik. Ishte një lëvizje që në një mënyrë ose në një tjetër ndryshoi sistemin në Shqipëri dhe i dha fund një epoke 46-vjeçare. Dhjetori i 1990-s mbetet një nga momentet me shumë pikëpyetje, por edhe një nga momentet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, që solli ndryshimin. Ishte një moment transformimesh të mëdha dhe një sërë faktorësh filluan të lëvizin.

Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu trajton në dy seri Dhjetorin e vitit 1990. Nga 8 Dhjetori filluan një seri protestash të paorganizuara dhe njerëzit kuptuan se ata që ishin kundër regjimit ishin më tepër se sa ata që kërkonin ta mbronin atë sistem. Protesta nisi me pak studentë në “Qytetin Studenti” dhe më pas u bë masive. Protesta ishte paralajmëruar që paradite, për arsye se kryeministri i asaj kohe, Adil Çarçani, kishte lajmëruar se dritat, që mungonin prej shumë ditësh në “Qytetin Studeti” në orën 21:00, do të lidheshin.

Por në këtë orë, studentët e parë dalin nga godinat drejt qendrës së “Qytetit Studenti”. Me kërkesë të disa studentëve, Azem Hajdari u shpall lideri i tyre. Studentët nisën të zbresin, por pikërisht pas Ambasadës italiane, grupi i studentëve u bllokua nga forcat e policisë. Rreth mesnatës, protestës së 8 Dhjetorit i bashkohen edhe të gjithë pjesëmarrësit e mbrëmjes që po zhvillohej në Institutin e Lartë të Arteve. Bashkë me ta ishte edhe Robert Stringa, i cili me kameran e tij filmoi disa pamje të 8 Dhjetorit./ tvklan.al