Greva e urisë në burgje, Ministria e Drejtësisë: Shkak u bë aplikimi i regjimit “41bis”



Greva e urisë në burgje, Ministria e Drejtësisë: Shkak u bë aplikimi i regjimit “41bis”

17:31 10/10/2020

Pas grevës së urisë në disa burgje të vendit, kryesisht në burgun e Peqinit, ka reaguar Ministria e Drejtësisë duke thënë se situata tashmë është normalizuar.

Në njoftimin për mediat, Ministria e Drejtësisë sqaron se refuzimi i ushqimit nga disa të dënuar është bërë për shkak të aplikimit të regjimit “41bis”.

“Pavarësisht pasqyrimit të bërë nga disa portale për një grevë masive në burgje, bëjmë me dije se kjo situatë ka qenë më së shumti në IEVP Peqin, pasi disa të dënuar në këtë institucion kanë refuzuar marrjen e ushqimit nga Institucioni duke paraqitur kërkesa të karakterit legjislativ për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm, uljen e dënimeve, amnisti, etj. Shkaku kryesor i fillimit të saj është inicuar nga subjekte të Regjimit 41bis pavarësisht përhapjes së saj edhe në grup të dënuarish të tjerë në disa institucione të tjera”.

Por kjo situatë ka marrë fund ditën e djeshme, thotë Ministria, duke sqaruar se të burgosurit, përmes avokatëve të tyre, kanë adresuar shqetësimet ligjore që ata kanë.

Për grevën e urisë në burgje ka nisur edhe një hetim për të zbuluar faktorë që kanë nxitur këtë problematikë.

“Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkepunim me agjensitë e specializuara të shtetit kanë filluar hetimin për të gjithë elementët dhe faktorët e brendshëm apo të jashtëm që kanë synuar provokimin dhe nxitjen e kësaj situate me qëllim destabilizimin e sigurisë në burgje.

Ministrja e Drejtësise ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune që do të shohë me kujdes të veçantë problematikat e konstatuara për çështjet e sigurisë dhe respektimin e të drejtave të të dënuarve në respekt të kuadrit ligjor në fuqi përfshi dhe ndryshimet e përmirësimet e nevojshme në strukturat drejtuese të sistemit të burgjeve”.  /tvklan.al




Të ngjashme