Fronti i grevës kundër reformës së planifikuar të pensioneve në Francë duket se po dobësohet. Protestat po bëhen më të pakta, por më radikale. Kështu, një restoranti të njohur iu vu flaka dhe Luvre u bllokua.

Presidenti francez Emmanuel Macron me sa duket po kërkonte një mundësi të vogël për të shlodhur mendjen. Mbi të gjitha, lufta për projektin e tij të prestigjit, reformën e madhe të pensioneve duhet ta ketë lodhur deri në kockë. Por vizita në teatër me të shoqen Brigitte-n të premten në mbrëmje ishte gjithçka tjetër, por jo shlodhëse.

Turmë e irrituar para teatrit

Pa u përhapur ende mirë lajmi në mediat sociale se Macroni po kënaqej në teatrin e famshëm parizian Théâtre des Bouffes du Nord, te dera u mblodh një grup kundërshtarësh të zemëruar të Presidentit. “Macron demissionne” – “Macron jep dorëheqjen”, thërrisnin ndoshta rreth 100 protestues. Midis tyre ndodheshin studentë të majtë dhe mbështetës të një komande të vetëshpallur të grevës. Dhe jo vetëm kaq, por turma u përpoq të depërtonte edhe në teatër. Presidentit iu desh të largohej përkohësisht nga shfaqja, forcat e policisë arritën vetëm me vështirësi ta përmbanin turmën që të mos sulmonte teatrin.

Zjarr në kafene-restorantin Rotonde

Në vende të tjera, nata kaloi jo kaq lehtë: “Në dhjetë e pesë më morën në telefon dhe më thanë që në Rotonde ka rënë zjarr”, tregon në mëngjes i tronditur dukshëm Gérard Tafanel, drejtori menaxhues i Rotonde. Persona të panjohur kishin shkatërruar dritaret dhe kishin vënë flakë brenda. Kafeneja historike preferohet jo vetëm nga turistët, por edhe nga politikanët dhe artistët francezë. Macroni festoi këtu kalimin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Dorasit ende nuk janë kapur. Por ka arsye për të besuar se ata donin të shkatërronin qëllimisht vendin e preferuar historik të presidentit. “Ne kemi marrë shumë kërcënime prej një kohë të gjatë,” konfirmoi Tafanel.

Bllokohet Luvre, trazira te sindikatat

Të dyja incidentet ilustrojnë një përkeqësim të mosmarrëveshjes për reformën e pensioneve, në të cilën kundërshtarët me sa duket janë të gatshëm të shkojnë më tej. Të premten, disa dhjetëra kundërshtarë të reformës bllokuan me orë të tëra muzeun e Luvrit, ndërsa të tjerë hynë në zyrat e sindikatës më të madhe dhe të gatshme për reforma CFDT të Francës dhe shkaktuan trazira edhe atje. Sabotimi i furnizimit me energji ishte pjesë e repertorit të sindikatave radikale që nga fillimi i grevave.

Qeveria kërkon “respekt bazë”

Qeveria reagon e shqetësuar: “Ju mund të mos pajtoheni absolutisht me politikat e qeverisë. Megjithatë kërkohet një respekt bazë, që na mundëson të jetojmë në mënyrë demokratike. Çfarë tjetër duan ata? Kryengritje? Dhe po ra qeveria, kush ia jep fuqitë qeverisë së re?” pyeti Sekretarja e Shtetit Emmanuelle Wargon në transmetuesin BFMTV.

Frankreich Paris Proteste gegen Rentenreform (Reuters/E. Foudrot)

Historiani Jean Garrigues hoqi paralele me protestat e rreth një viti më parë: “Edhe tani po shfaqen përsëri forma të dhunës dhe brutalizimi i hapësirës publike. Është një si jelekverdhizim i kësaj lëvizje sindikale.”

“Do të bëhet edhe më keq”

Edhe jelekverdhët dolën përsëri në rrugë në Paris në fundjavë. Qenë vetëm disa mijëra, bërthama e fortë. Këtu veprimet radikale të kundërshtarëve të reformës së pensioneve u pritën me duartrokitje: “Po është normale kjo që po ndodh. Kur nuk i dëgjon njerëzit, do të ndodhë diçka e tillë. Dhe do të bëhet edhe më keq”, parashikon Didier, i cili ka veshur një përkrenare dhe ka vënë gërsheta si një gal i pathyeshëm dhe ka zënë vend në marshimin e demonstruesve.

Qeveria planifikon ta miratojë reformën e pensioneve në kabinet të premten e ardhshme dhe shpreson që me këtë të sjellë pak qetësi. Disa kundërshtarë kanë bërë të ditur se atëherë do të fillojnë me të vërtetë protestën./DW