Jemi mësuar ta shohim brenda kornizave të politikës dhe mësimdhënies si një ish-deputete dhe pedagoge, por pak vetë e dinë që Grida Duma në fëmijërinë e saj ka mësuar për violinë.

Ajo ishte në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” këtë të hënë ku tregoi se ishte e ëma ajo që donte që fëmijët e saj të hynin në art. Për herë të parë pas më shumë se 30 vjetësh që kur la së rëni violinës, ish-deputetja performoi këngën “Lule borë” përballë fëmijëve të “Në Kurthin e Piter Pan”.

“Unë nuk e di nëse do gaboj apo jo, por është një gjë që do e provoj pas 30 vjetësh ose më shumë i bie. Unë jam rritur dhe e kam thënë që mamaja ime është violiniste virtuoze. Ajo ishte shumë e disiplinuar. Kur ishte e vogël e quanin paganini i vogël. Kur u rrit deshi që edhe fëmijët e vet të hynin në art. Nga unë kërkoi shumë, shumë, shumë, por nuk u bind deri në fund që duhet ta vazhdoja. Atë e di ajo, por më ka dhënë shumë me shpirtin e saj artistik duke më afruar me artin që është gjëja më mbushëse në shpirtin e njeriut dhe gjatë gjithë jetës së vet i jep ushqim”, tha Grida Duma./tvklan.al