Zgjerohet harta e vendeve të prekura në Europë, në Shqipëri nuk ka vatra të reja

Shqipëria ka ndaluar importin e shpendëve dhe nënprodukteve të tyre si mishi apo vezët edhe nga Italia, për shkak të rrezikut që paraqet pandemia e rënë tek shpendët e gripit H5N8. Vendimi është marrë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural disa ditë më parë, pas sinjalizimeve që dha Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve.

Bashkë me Italinë, ku është ndaluar importi kryesisht në zonat veriore, është zgjeruar edhe harta e përhapjes së sëmundjes edhe në shtete të tjera ku ishte ndaluar importi dhe më parë si Gjermania, Polonia, Hungaria, Çekia, Kroacia, Belgjika, Franca , Rumania e Bullgaria.

Rastet e para të gripit të shpendëve janë zbuluar edhe në Shqipëri, në tre njësi administrative në veri dhe qendër të vendit, por sipas të dhënave të deritanishme nuk ka përhapje në vatra të tjera.

Importet e shpendëve dhe mishit të tyre vijojnë të jenë të ndaluara edhe me Greqinë e Kosovën. Sipas autoriteteve të veterinarisë rreziku i përhapjes epidemike të këtij virusi është vetëm te shpendët, ndërsa njeriu rrezikohet vetëm përmes kontaktit fizik dhe konsumit të ushqimeve të pa gatuara mirë.

Tv Klan