Mjekja: Më të prekur janë moshat aktive sepse neglizhojnë masat, por edhe simptomat

Temperaturë e lartë, dhimbje trupi por edhe kollë janë simptomat e virozave stinore dhe gripit. Sipas mjekës Ursina Hajdini nëse simptomat nuk vijnë duke u përmirësuar, atëherë pacientët duhet të paraqiten tek mjeku dhe jo të marrin trajtime vetë në farmaci.

Ursina Hajdini, mjeke e përgjithshme: Është shumë e rëndësishme që të mos e trajtojmë vetë e veçanërisht jo me antibiotik, se gripi dhe virozat nuk trajtohen me antibiotik. Duhet të drejtohen te mjeku në mënyrë që të marrin trajtimin e duhur për simptomatikën që kanë, ose të mos vijnë në momentin që kanë filluar komplikacionet, pasi virusi i gripit mund të kalojë nga format më të lehta por edhe në forma më të rënda mund të japë edhe komplikacione siç ne kemi çdo ditë.

Veç moshave pediatrike, sipas mjekes më të prekurit rezultojnë të rinjtë dhe moshat aktive, për shkak se ata neglizhojnë masat dhe nuk janë të vaksinuar ndaj gripit sezonal.

Ursina Hajdini, mjeke e përgjithshme: Gjatë periudhës që janë me simptoma nuk duhet të vazhdojnë përditshmërinë e tyre, të frekuentojnë ambiente publike, të frekuentojnë kafene dhe aktivitete sociale, se bëhen burim për persona të tjerë edhe nëse vetë e kalojnë lehtë.

Sipas mjekjes, ulja e ndjeshme e temperaturave mund të sjellë një mbivendosje të virozave me infeksione bakteriale.

Ursina Hajdini, mjeke e përgjithshme: Janari ka qenë me një numër të lartë rastesh. Mesatarisht kemi pasur 30 raste në ditë me virozat e stinës. Ditët e fundit kemi vënë re një rënie të lehtë, por nuk mund  të themi që kaloi piku pasi me rënien e temperaturave të këtyre ditëve rritet risku për sëmundje të tjera të rrugëve respiratore, mund të mbivedosen virozat e dimrit me infeksionet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes.  

Sa i përket vaksinës kundër gripit, mjekja tha se të vetmit që mund të vaksinohen në këtë periudhë janë ata që s’e kanë kaluar gripin, pasi për ata që e kanë kaluar nuk ka vlerë.

Klan News