Rriten shpenzimet publike, deficiti kërcen mbi 910 mln €

Pandemia ka zhytur në krizë buxhetin e shtetit, duke tkurrur mbledhjen e të ardhurave tatimore me 516 milionë euro, ndërsa prodhimi kombëtar do të tkurret me 1.7 miliardë euro ndërsa borxhi publik ka arritur në 80%. Këshilli i Ministrave ka ndryshuar për herë të tretë me akt normativ buxhetin e këtij viti, i cili është detyruar të rritë shpenzimet me 240 milionë euro krahasuar me atë fillestar.

Peshën më të madhe në këtë rritje e merr fondi rezervë i buxhetit për përballimin e pasojave të pandemisë së Covid-19, ndërsa janë rritur me 50 milionë euro edhe fondet për investime publike. Ekzekutivi parashikon të nisë ndërtimin e tunelit të Llogarasë, Teatrin Kombëtar, hidrocentralit të Skavicës si dhe pagesën për mbikëqyrje të punimeve dhe projekte të disa veprave të tjera në infrastrukturë që janë prezantuar këtë vit: rrugës Milot-Fier dhe Aeroportit të Vlorës.

Fondet janë për të nisur projektet këtë vit, ndërsa vlera më e madhe për këto investime pritet të buxhetohet vitin e ardhshëm. E gjithë kjo situatë rrit me 910 milion euro deficitin në buxhet, duke e çuar atë në 8.4% të prodhimit kombëtar. Ky nivel borxhi është ndër më të lartit në historinë e dy dekadave të fundit.

Goditjen më të madhe në tkurrjen e të ardhurave në buxhet do ta marrë tatimi mbi vlerën e shtuar me minus 17 milion euro, i ndjekur nga tatimi mbi fitimin i cili do të sjellë 6.5 milionë euro më pak në buxhetin e këtij viti. Të dy këto zëra nuk preken vetëm nga rënia e aktivitetit ekonomik, por dhe nga paketa e qeverisë për të hequr taksat për biznesin i vogël.

Edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore parashikohen me rënie për shkak të rritjes së numrit të të papunëve, ndërsa me tkurrje pritet të jenë edhe akcizat, taksat kombëtare dhe të ardhurat nga pushteti vendor.

Tv Klan