Rachel Molloy pritej të sillte në jetë nga dita në ditë beben e saj, kur nisi të kishte dhimbje barku, duke bërë që bashkëshorti ta çonte me urgjencë në spital. 36-vjeçarja nga Trafford, Britani, humbi jetën në parkingun e spitalit. Ajo vdiq në Prill, duke lënë pas vetëm hidhërim për familjen e saj dhe duke mos pasur kurrë mundësinë për të njohur të bijën që mbante në bark.

Bashkëshorti i saj Nick, duke folur për mediat britanike, tregon sesi në harkun kohor të pak orëve, nga i lumtur që do të bëhej baba për herë të dytë, mbeti i ve dhe rrezikonte që të humbiste edhe vajzën e vogël.

Rachel nuk e dinte që priste vajzë, sepse donte që të ishte surprizë. Ardhja në jetë e Izabelle ishte gjëja e fundit që bashkëshorti i tha asaj përpara se të ndërronte jetë.

“Rachel nuk mundi ta njihte kurrë vajzën tonë të vogël. Më dhemb zemra kur mendoj që Isabelle nuk do të mund ta takojë kurrë nënën e saj. Por e di që kujtimi i Rachel do të jetojë tek fëmijët e saj dhe të gjithë ata që e njihnin”.

36-vjeçarja pësoi një shpërthim aneurizmi splenik të arteries, një komplikacion i rrallë i shtatzënisë që shpesh çon në vdekjen e nënës dhe bebes. Vdekshmëria e nënave është rreth 75 përqind, ndërsa e fetusit është përafërsisht 95 përqind.

Ky komplikacion nuk ka simptoma. Shtatzënia e Rachel kishte qenë e qetë, pa probleme. Por më 24 Prill, ajo nisi të kishte dhimbje barku. Nick e çoi me makinë në spital, por aneurizmi shpërtheu dhe ajo ra përtokë në parkingun e makinave.

Rachel nuk merrte më frymë dhe zemra i kishte pushuar. Isabella erdhi në jetë me lindje cesariane.

Njerëzve të saj të dashur iu tha se kishte pësuar arrest kardiak dhe se për t’u mbajtur në jetë duhej vendosur në aparatura. Fatkeqësisht, Rachel nuk mundi të shpëtonte dhe vdiq orët e para të mëngjesit që pasoi.

Pas dy muajsh, Isabelle ndodhet ende në kujdes intensiv në spitalin e Manchester.

*Aneurizmi është fryrja e një arterie. Arteriet janë enët që shpërndajnë gjakun e pasur me oksigjen nga zemra në pjesë të tjera të trupit. Nëse një aneurizëm rritet, ai mund të shpërthejë dhe të shkaktojë gjakderdhje të rrezikshme, apo edhe vdekje./tvklan.al