65- vjeçarja Hurma Banushi ka treguar në programin “Historia ime” në Tv Klan, brengën që ajo ka në lidhje me vdekjen e bashkëshortit të saj. Nefail Banushi ndërroi jetë para 6 muajsh dhe Hurma pretendon se arsyeja ishte neglizhenca e mjekëve.

Burri i saj kishte probleme shëndetësore dhe ajo së bashku me djalin e transportuan drejt spitalit. Aty bëri skaner e analiza gjaku, dhe mjekët i thanë se nuk kishte asnjë gjë për t’u shqetësuar. Sipas saj, i dhanë vetëm disa kokrra, por situata e tij nuk po përmirësohej. Bashkëshorti  i saj filloi të ndihej shumë i lodhur dhe nuk mundi dot të hapte sytë dhe as të lëvizste.

Familja e tij e transportoi sërish drejt spitalit, u shtrua në Sanatorium, por gjendja e tij u komplikua dhe ai ndërroi jetë.

Sot bashkëshortja e tij pretendon se ai nuk vdiq nga sëmundjet që kishte prej vitesh, por mënyra dhe kujdesi i mjekëve ndaj tij nuk ishte i duhuri.

Mirela Milori: Çfarë të thanë në Sanatorium?

Hurma Banushi: Në Sanatorium na thanë që meqë ka këto probleme atje lejohet të marrësh doktor neurolog për ta kontrolluar dhe na çuan me ambulancë.

Mirela Milori: Dhe ju çuan në QSUT?

Hurma Banushi: Atje kemi ndenjur një orë e ca. I thashë kemi ardhur me urgjencë, s’po vjen një doktor? Do lajmërojmë neurolog tha që të vijë nga spitali numër 5. Erdhi një doktoreshë e re, tha do t’i bëjmë një skaner. Pritëm deri në 2 të natës deri sa erdha përgjigjia e skanerit. Nuk shoh ndonjë gjë për t’u shqetësuar tha.

Mirela Milori: Kur u bë skaneri?

Hurma Banushi: Nga 12 e natës!

Mirela Milori: Çfarë ju tha?

Hurma Banushi: Nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, përveç atyre gjërave të vjetra. Do ju jap dy kokrra, një për marrje mendsh dhe tjetra për të vjella. Megjithatë tha, po u bë më keq, mos prit por hajde prapë.

Mirela Milori: U kthyet në shtëpi?

Hurma Banushi: U kthyem në shtëpi, i filluam kokrrat, gjendja po njësoj. Burri mbante sytë mbyllur. I thosha çfarë ke? Pse i mban sytë mbyllur. Jam si i lodhur më thoshte. Atë ditë e mbajmë në shtëpi, prapë volli, nuk ecte dot.

Më tej, Hurma tregoi se e çuan sërish në spital, u bë sërish një skaner dhe sërish i thanë se nuk ka asnjë gjë.

Hurma Banushi: Burri im ishte me diabet 50. Ndërkohë u alarmuan të tërë i futën glukozë sa i çuan diabetin 80. U ngrit në mëngjes, gjendja e tij përkeqësohej, i flisja, sytë i mbante mbyllur. Ndërkohë iu thosha kush e ka Nefailin? Njëra s’e kam unë, njëra s’e kam unë. Po çfarë do bëhet me Nefailin?

Mirela Milori: Me mjekë apo infermierë flisje?

Hurma Banushi: Me mjekë, infermierë kush ishte. I thashë si do bëhet se kemi ardhur që mbrëmë dhe vetëm oksigjen asgjë. Burrin e kam sjellë me sy hapur i thashë, e kam me sy mbyllur. Burrin e kam sjellë me këmbë thashë, e kam pa këmbë. Njëri nga ata infermierë tha: E ke burrin në këtë gjendje dhe rri? Shko thyej dyert e spitalit, drejtorin.

Mirela Milori: Mjek ishte ky që ta këshilloi?

Hurma Banushi: Nuk e di çfarë ishte, po aty në dhomë ishin. I thashë djalit do ikësh ti apo të iki? Rri o mami tha se kemi hallin e babit. I thashë babi po mbaron pa mjekim. Lashë djalin vajta vetë. Doja të hyja tek drejtori nuk më la polici, vajta në informacion i thashë. Morën në telefon thamë e kemi tek zona e kuqe, e kemi në observim. Pastaj kur vajta, burrin tim e morën me karrocë dhe e çuan në observim, pastaj erdhi një doktor pa analizat. Pastaj ai s’u pa më aty, deri në orën 3 mbasdite që erdhën ata të reanimacionit, unë s’kam parë mjek. Pastaj kur vinë më thonë do ta çojmë në reanimacion. Tani do ta çoni i thashë që ka 4 ditë, hyn dhe del nëpër urgjenca. Unë s’doja ta shtronim sepse kush shkon në reanimacion pritet bileta, shpirti i motrës. Kaq dhe këtë brengë unë kam 6 muaj që s’më hiqet nga mendja. Ai ndoshta ka qenë kismet dhe mund të ikte, por mënyra si u sollën dhe çfarë më bënë atje…

Mirela Milori: Sa qëndroi në reanimacion?

Hurma Banushi: Në reanimacion u shtrua në datën 27 dhe në datën 1, duke u gdhirë data 1, ka ndërruar jetë. /tvklan.al