Rubrika “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e dhimbshme të një nëne. Gita rrëfeu në studio të gjitha vështirësitë që ka kaluar që në momentin që është martuar dhe ka shkuar tek familja e bashkëshortit.

Ajo u shpreh se marrëdhënia me bashkëshortin ishte shumë e mirë, por me pjestarët e tjerë të familjes ishte një komunikim i ftohtë. Vëllai i burrit të saj nuk i fliste dhe ajo ende dhe sot nuk e di arsyen.

Pavarësisht vështirësive, ata vazhduan të qëndronin në atë familje. Por një ditë, pas një debati të një nate më parë, burrit të saj i zënë pritë dhe e vrasin. Gita ka qenë e pranishme në atë moment dhe rrëfen se ka qenë një tmerr i vërtetë të shihte gjithë ngjarjen.

Gita: Kam ardhur këtu për djalin tim, Arsitidin, jeton me xhaxhanë e vet dhe nusen. Fëmijëria ime ka qenë vërtet e lumtur deri në vitin ’91.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi në atë vit?

Gita: Në shtator të ’91 bëhet një dasëm tek xhaxhai im, aty më kishin njohur. Edhe kishin shkuar në shtëpi dhe i kishin thënë Nestit që kemi parë një vajzë, shko shikoje dhe njihe më mirë ti.

Ardit Gjebrea: Kush është Nesti?

Gita: Bashkëshorti që unë pata. Nesti erdhi më takoi tek shtëpia me burrin e motrës time. Më takoi, folëm, biseduam.

Ardit Gjebrea: Të pëlqeu Nesti që në fillim?

Gita: Po, shumë i mirë zoti Ardit ishte, shumë njeri i mirë ishte. Babai im pyeti për këtë familje, pyeti për Nestin dhe i thanë nuk ka djalë më të mirë. U fejuam.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe ti kur u fejove?

Gita: Isha 18 vjeç. Ndenjëm 1 vit e gjysmë të fejuar dhe u martuam në ’93.  Na atë familje kur shkova gjeta dy prindërit e Nestit dhe vëllain e Nestit dhe dy fëmijë që kishte ai.

Ardit Gjebrea: Si shkoje ti me ata?

Gita: Familje e mirë, punëtore, të gjitha, por shumë të egër. Nuk guxoja të flisja me askënd, ku ta di unë se si. Kunati filloi nuk fliste me mua. I thosha a u lodhe, smë kthente përgjigje.

Ardit Gjebrea: Po në fillim kishe komunikim me të?

Gita: Po kisha zoti Ardit.

Ardit Gjebrea: Po pastaj çfarë ndodhi?

Gita: Nuk e mësova arsyen asnjëherë. Nesti i tha të atit që unë nuk ha bukë më me vëllain tim, të më tregojë arsyen pse nuk i flet gruas time. Nuk guxoi i ati t’i ndante. Vazhduam jetën ashtu, na lindi djali. Mbas një vit e gjysmë ishte dita më e lumtur në jetën time. U gëzuam shumë, edhe Nesti patjetër. Me Nestin isha shumë e lumtur, po me këtë familjen nuk u ndjeva asnjëherë mirë.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti që Nesti vendosi të emigronte?

Gita: Bisedoi me disa shokë, ai kishte hall të na merrte dhe mua dhe djalin të largoheshim. Ai iku në Itali, ndenji 8 muaj atje, punoi. Djali im pati temperaturë, xhaxhai i djalit i thotë të shoqes bëje djalin gati ta çojmë në Shkodër. Unë djalin në krah, ma kap ajo kunata nga krahu për ta çuar ta vizitojë në Shkodër. Unë isha grua pa burrë dhe nuk mund të dilja përjashta.

Ardit Gjebrea: U  kthye Nesti nga Italia?

Gita: U kthye Nesti, vazhduam prapë jetën këtu. Në atë zonë të gjithë zinin peshk. Dalin kushërinjtë e vet, të katërt dhe i thonë pse na prishni qetësinë, pse gjuani, pse bëni. Bëjnë fjalë aty. Ishte natë. Të nesërmen zoti Ardit, Nesti çohet të shesë peshkun, kurse kunati të shesë qumështin. I zënë pritën zoti Ardit kur kthehet nga Shkodra, ai ishte me motor. Unë çoja lopët tek ara dhe u ndodha dhe unë aty. Sa kam marrë kthesën unë, shumë pak kalova, e lanë në mes të rrugës zoti Ardit.

Ardit Gjebrea: E vranë?

Gita: E vranë, kam parë një tmerr me sytë e mi. Nuk e kapi shteti këtë që vrau Nestin, mbeti i fshehur në familje, nëpër njerëz. Aty i kanë thënë si të bëri dora të vrasësh atë djalë. Jo i ka thënë nuk dola të vras Nestin, dola të vras tjetrin, kunatin. E ka thënë vetë, e ka deklaruar vetë me gojën e tij. /tvklan.al