Opinion-Vrasja e njërit prej politikanëve më të rëndësishëm, themeluesit të Partisë Demokratike dhe liderit të lëvizjes studentore Azem Hajdari bëri bujë në vend.

10 vjet më pas bashkëshortja dhe vajza e tij Fatmira dhe Rudina Hajdari rikthehen në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu për të rrëfyer momentet e vështira të 12 Shtatorit dhe pasojat e kësaj ngjarje në jetën e tyre.

“Në jetën time do të ngelet i pa harruar 12 Shtatori. Në mëngjes Azemi më tha që ti bëja gati kostumin sepse do të shkonte në Fier. Për çudi, pasi është bërë gati e kam përcjellë deri tek porta dhe për një moment ai u kthyer dhe po shikonte rreth e rrotull sepse ishte lyer shtëpia dhe i pëlqeu. Ka ikur nga shtëpia për në miting dhe gjatë rrugës nuk ka komunikuar me mua. Pasdite unë ndjeva një këputje, isha në muajin e 7-të të shtatzënisë dhe nuk gjeja rehat, kisha një ankth të madh. Më telefonoi Azemi dhe më tha se mitingu kishte shkuar shumë mirë. Unë isha shumë e mërzitur dhe i kërkova të pinim kafe në darkë patjetër. Ai më tha se sapo të vinte tek selia e PD do të më çonte makinën që t’më merrte dhe do të takoheshim. Mora dy fëmijët dhe kam zbritur përpara PD dhe pashë Azemin teksa po dilte me kostumin gri dhe këmishë blu. Na përqafoi dhe na puthi, gjë që nuk ndodhte shpesh. Pimë kafe dhe më është dukur shumë i lumtur atë natë. Qëndruam gati 30 minuta bashkë dhe më tha që të nisesha përpara për në shtëpi sepse do takonte doktorin dhe Pjetër Arbnorin për ti dhënë kasetën e mitingut që të transmetohej në Shkodër. Kur u nisa për në shtëpi me fëmijët kisha një ndjenjë jo të mirë. N ë tre muajt e fundit Azemi kishte shumë kërcënime, shpesh nuk më hapej sepse nuk donte të më shqetësonte sepse isha shtatzënë. Mbaj mend që në atë periudhë më ka telefonuar ministri i Brendshëm Perikli Teta dhe më ka thënë:”Azemi nuk ma hap telefonin, por i thuaj që t’më njoftoj për çdo lëvizje që do bëj sepse situata nuk është e mirë për të”. Ia thash Azemit këto fjalë dhe ai vuri buzën në gaz dhe më tha: “Nuk e di nëse do të më rujnë apo do të më vrasin vetë ata”. Ai ishte i shqetësuar sepse kishte sinjalizime. Vetëm muajin e fundit atij iu bënë 4 atentate. Azemi e dinte se nga mund ti vinte, por këtë nuk mund ta përcaktoj unë. Ai nuk donte tia dinte për rrezikun edhe pse kishte marrë kërcënime dhe i ishin bërë atentate. Unë i kam dëgjuar me veshët e mi kërcënimet që i bëheshin dhe i kam kërkuar të largohej nga Shqipëria sepse ai ishte i rrezikuar, por ai nuk e bëri sepse nuk donte ti shmangej luftës së Kosovës. Vrasja e Azemit do të mbetet mister gjithë jetën, është e vështirë të zbardhet. Është e lidhur me luftën e Kosovës. Pasi u ndava nga Azemi në Selinë e PD më ka bërë përshtypje që nuk kishte drita dhe ishte shumë errësirë. Arritëm në shtëpi dhe më vjen një telefonatë, ndjeva një zë shumë të shqetësuar. Më tha të hap televizorin sepse kishin qëlluar Azemin. Ka qenq Reis Çiço ai që ka dhënë lajmin, kam bërtitur me të madhe, filluan dhe fëmijët të bërtisnin. Kiri ka thyer xhamat dhe ka nisur të bërtasë. Kanë ardhur komshinjtë dhe kanë kapur Kirin. Kur u mbush shtëpia plot me njerëz kuptova që Azemi kishte mbaruar vërtetë. Më ka ngelur peng që nuk shkova ta shihja në spital, por nuk më lanë njerëzit sepse isha 7 muajshe shtatzënë”, tregoi Fatmira Hajdari.

“Unë aktualisht jetoj në Neë York dhe studioj atje. Tashmë jam në vitin e katërt. Kur isha e vogël dikutoja për shkollimin me babain tim, ai e ka pasur ëndërr që unë të perfeksionoj anglishten dhe të studioj në Amerikë, por nuk kishim folur për një degë konkrete. Babai ka qenë shumë ekspresiv dhe tregonte shumë në fytyrë, në takimin para vrasjes ai ishte i lumtur dhe të bënte për të qeshur me gëzimin e tij. Ashtu kam dëshirë ta kujtoj gjithmonë. Jam munduar të mos shkoj më tej. Kam qenë 11 vjeç kur ka ndodhur ngjarja. Ai nuk donte që të dukej si dikushi përpara nesh, kalonte kohë të mirë me ne”, u shpreh Rudina./tvklan.al

Të ftuara: Fatmira dhe Rudina Hajdari.