Kjo është pamja që të ofrohet nga kodra në Gjirin e Lalzit, në të cilën ndodhet familja Brahja.

Një peizazh i tillë do të lakmohej nga shumë sipërmarrës për të ngritur biznese, por jeta paraqet një tjetër realitet.

Në një zonë të harruar nga të gjithë, jeta e Gjyste Brahja është një luftë e përditshme për mbijetesë.

Ajo është 60 vjeçe dhe jeton me djalin dhe bashkëshortin, i cili është i paaftë për punë. Ndërkohë, djali ndonëse me shumë vështirësi, po mundohet të sigurojë jetesën në Durrës.

Shtëpia e tyre është prekur nga e çara e tokës që u shkaktua nga tërmeti i 26 Nëntorit, duke e bërë banesën e saj të pajetueshme.

E vetmja ndihmë që i ka ardhur familjes së saj është një çadër, por temperaturat e ulëta të motit e bëjnë të papërballueshme jetesën në të, duke detyruar familjen e saj të rikthehet në shtëpinë e shkatërruar.

Teksa ende pret që dikush të marrë mundimin të ngjitet deri në majë të kodrës ku ndodhet shtëpia e saj, Gjyste shprehet se edhe shuma prej 20 milionë Lekësh të vjetra nuk mjafton për të ngritur një shtëpi.

Klan Plus