Gruaja e Michael Schumacher ka thyer heshtjen duke folur për gjendjen e kampionit të Formula 1, i cili në Dhjetor 2013 pësoi aksident të rëndë në ski.

Corinna Schumacher, në një letër të pa bërë publike më parë, e përshkruan bashkëshortin si një luftëtar që nuk do të dorëzohet.

Letra e saj në fakt vjen si përgjigje falenderimi për këngëtarin gjerman Sascha Herchenach, i cili i ka dedikuar një këngë kampionit Schumacher, të titulluar “Born to fight”. Këngëtari tha se kurrë nuk e priste që të merrte një përgjigje, por mori një letër të shkruar me dorë.

“Do të doja t’ju falenderoja sinqerisht për mezashin tuaj dhe dhuratën e bukur që do të na ndihmojë në këtë kohë të vështirë. Të gjithë e dimë se Schumacher është një luftëtar dhe nuk do të dorëzohet”

, ka thënë bashkëshortja e Schumacher në letrën e saj dërguar këngëtarit gjerman.

Sascha Herchenach zbuloi përmbajtjen e letrës në një intervistë për revistën gjermane “Bunte”. Nuk dihet saktësisht se kur është shkruar letra e Corinna Schumacher, por këngëtari e realizoi këngën për legjendën e Formula 1 në Dhjetor të vitit 2014, një vit pasi Schumacher pësoi aksidentin në Alpe. Ai goditi kokën në një shkëmb duke bërë ski dhe pas disa operacioneve qëndroi për 6 muaj në koma.

Pasi u zgjua nga koma, për gjendjen e Schumacher po kujdeset një ekip prej 15 mjekësh e infermierësh. Ai qëndron në shtëpinë e tij private pranë liqenit të Gjenevës.

Bashkëshortja e Schumacher deklaroi në atë kohë se nuk do të fliste për gjendjen shëndetësore të kampionit të Formula 1, duke kërkuar që të ruhej privatësia. Letra e saj e falenderimit për këngëtarin gjerman, besohet se është e para deklaratë e botuar ku flet për gjendjen e Michael Schumacher.

/tvklan.al