Diana Kola, banuese në qytetin e Pukës, denoncon në emisionin “STOP” se një ditë, në mënyrë të papritur, i vjen një letër nga përmbaruesi, ku njoftohet se i mbahet paga për shkak të një lokali të vogël në Tale të Lezhës. Diana tregon se nuk ka shkelur kurrë në Tale dhe për rastin e çuditshëm, ka hapur çështje edhe në gjyq. Julian Bistri, specialist pranë IKMT-së, tregon se zonja ka patur një kioskë pa leje, me konstruksion metalik në bregdet, për të cilën është gjobitur. Nga ana tjetër, në Njësinë Administrative të Shën Kollit, kreu i saj, Albert Rrusti shpjegon se në bazë të verifikimit, rezulton se personi që kishte kioskën është Diana Pjetër Kola, ndërsa denoncuesja në emisionin “STOP” është Diana Ndue Kola dhe se kanë datëlindje të ndryshme…

“Unë jam Diana Kola nga Puka, jetoj prej 27 vitesh atje dhe punoj pa asnjë shkëputje. Një ditë më vjen një letër, në nëntor të vitit 2016, që unë kam hapur një kioskë në Tale të Lezhës. Në fakt unë atë kioskë as nuk e kam hapur, as nuk di asnjë gjë. Ky përmbaruesi atje te ma ka çuar 120 mijë lekë (të vjetra) në muaj, të cilën unë do e paguaj për një vit. Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, është prishur një kioskë thotë në breg të detit, me dimensione 2 me 3 për biznes në rërë. Unë në rërën e Tales nuk kam shkelur as një herë të vetme. Prandaj i jam drejtuar emisionit tuaj, që kjo gjë nuk më takon dhe kërkoj drejtësi te ju.”

E pyetur nga gazetarja e emisionit “STOP” se nëse ka qenë pjesëmarrëse në gjyqin e kryer nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Diana Kola shprehet se prej vitit 2012 deri më 2016 nuk është njoftuar asnjëherë dhe se është vënë në dijeni për çështjen vetëm nga shkresa e ardhur nga përmbaruesi.

Gazetarja i drejtohet këtij inspektorati për të marrë pyetur se si është bërë proces verbali dhe vendimi për dënimin me gjobë ndaj Diana Kolës, pa patur gjeneralitetet e plota. Jualian Bistri, një prej specialistëve të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, shprehet se proces verbali është mbajtur nga ekspertët e IKMT-së, duke u konstatuar objekti pa leje, që ka qenë një kioskë me konstruksion metalik.

“Është mbajtur duke verifikuar që ka qenë e zonjës Diana Kola. Zonja ka qenë me banim në Tale të Lezhës, në plazhin ku është mbajtur proces verbali. Është verifikuar që është zonja në fjalë. Kur është pa leje, në asnjë vend nuk është shënuar Diana me emër, emër babai apo mbiemër,  nuk është diku e regjistruar. Normalisht, kur kanë vajtur inspektorët e institucionit tonë për të mbajtur proces verbalin, është mbajtur me emër dhe mbiemër. Andej e tutje është verifikuar në terren nga inspektorët tanë që objekti në fjalë ka qenë i zonjës në fjalë.”

Gazetarja – Çfarë dokumenti tjetër e identifikon që bëhet fjalë për Diana Kolën?

“E para një herë, Diana Kola ka hapur një proces gjyqësor kundrejt institucionit tonë, apo jo? Në bazë të relacionit, që është bërë edhe nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, është vërtetuar që është i vetmi person sepse ky informacion është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe ai person që ka banuar në atë zonë ka qenë shtetasja konkrete.”

Ndërsa Kryetari i Njësisë Administrative Shënkoll, Albert Rrusti shprehet se objekti i paligjshëm i përket Diana Pjetër Kolës, e datëlindjes 23.01.1969 dhe jo Diana Ndue Kolës, e cila ka lindur më datë 08.08.1966.

“Nuk ka lidhje fare me vendosjen e kioskës në bregdetin e Tales!”

Por kush ka të drejtë, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile apo Njësia Administrative Shënkoll? Kush e zotëron në të vërtetë këtë kioskë të paligjshme, Diana Pjetër Kola apo Diana Ndue Kola?/tvklan.al