Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme intervistën me Valentina Agalliu. Jeta e saj është e ndarë mes Italisë dhe Shqipërisë. Ajo ishte në Bergamo kur filloi pandemia në Itali dhe mendoi se do ishte më mirë që të kthehej në Shqipëri.

Së bashku me vajzën e saj, Valentina niset për në Shqipëri dhe tregon se ta linte Bergamon në atë gjendje ishte e dhimbshme.

Gazetarja: Si ishte situata në Bergamo? Si e le Bergamon?

Valentina Agalliu: Ishte dhimbje shumë e madhe atë ditë qe e lashë, sepse vajza ime erdhi nga Londra, ku ka mbaruar studimet dhe punon, erdhi në Bergamo në datë 7, me një avion që ishte pothuajse bosh. Më dërgoi fotografinë e avionit, se unë kisha shumë merak nga mikrobet, që mund të ndodhen brenda një zone të mbyllur si avioni. E dija që Anglia ishte akoma më indiferente se Italia, kryeministri i saj kishte hedhur atë teorinë e imunizimit të grupit dhe aty u shqetësova. Meqë ajo kishte një leje nga zyra e saj, ata po transferonin zyrat, i thashë nisu dhe hajde këtu. Ajo tha të gjithë anglezët kanë frikë të udhëtojnë drejt Bergamos: Mami Bergamos i ka dalë një nam i madh, si do vij unë në Bergamo? Edhe në momentin që ajo niset, më dërgon foton e avionit që ishte pothuajse bosh, me dy pasagjerë në fund dhe ime bijë. Unë po bëja humor sepse unë gjithë situatat e vështira në jetë i kam kaluar me humor. I thashë duket si një avion privat. I dola në aeroport në Bergamo. Ajo hipi në makinë më maskë dhe ne nuk u përqafuam. Ajo u skandalizua dhe tha çfarë mami je, nuk përqafon vajzën. I dërgova një zemër, një zemër ajo mua, e ula në sediljen e prapme. Ne nënat veten e ruajmë, por fëmijët i ruajmë 10-fish më shumë.

Valentina së bashku me vajzën përshkruan 5 kufij për të ardhur në Shqipëri.

Valentina Agalliu: Unë përshkrova 5 kufij, nga Italia në Slloveni, nga Sllovenia në Kroaci, nga Kroacia në Bosnjë Hercegovinë, nga Bosnja hyra në Mal të Zi dhe kam dalë nga Mali i Zi për në Shqipëri, në orën 9 të darkës. në datën 9 dhe kam ardhur në Tiranë, në 11 të natës./tvklan.al