Një pasagjere në një linjë fluturimi u arrestua pasi kafshoi një udhëtar tjetër dhe u përpoq të hapte derën e avionit teksa ishte në ajër. Sipas dokumenteve të gjykatës, ajo tha se “E detyroi Jezusi ta bënte”, shkruan “New York Post”.

34-vjeçarja Elom Agbegninou po fluturonte nga Teksasi drejt Ohajos dhe u acarua sepse stjuardesat nuk e linin të shkonte drejt daljes së emergjencës.

Një pasagjer tjetër ndërhyri për ta frenuar Agbegninou, por ajo u kundërpërgjigj duke e kafshuar në kofshë dhe nuk e lëshoi derisa viktima nisi ta shtynte duke e kapur nga nofulla. Më pas, sulmuesja nisi të përplaste kokën në dysheme dhe thoshte se “Jezusi i tha të fluturonte për në Ohajo dhe Jezusi i tha të hapte derën”.

Avioni bëri ulje të detyruar në një aeroport në Little Rock dhe udhëtimi që zgjat zakonisht 3 orë u zvarrit  në 6. 34-vjeçarja u arrestua nga policia, ndërsa pasagjeri mori ndihmën e parë mjekësore.

Më vonë, Agbegninou iu tha autoriteteve se ishte larguar nga shtëpia pa lajmëruar bashkëshortin e saj dhe shpresonte të vizitonte një mik të familjes në Maryland./tvklan.al