“Nuk dua që të më vdesë nëna në bunker”

Në “Historia ime” me Mirela Milorin, në Tv Klan, janë trajtuar shpesh histori njerëzore me vështirësi ekonomike nga më të ndryshmet, njerëz që jetojnë me të ardhura të pamjaftueshme, apo në banesa me kushte të mjera, por të jetosh në bunker me kushte nga më ekstremet, pa një tualet për nevojat personale është realisht thuajse e papërballueshme.

66-vjeçarja Xhemile Pisha Sula kujdeset prej 3 vitesh për nënën 100-vjeçare dhe vëllain e saj Shefkiun, të dy të pamundur dhe me nevoja të veçanta, në një bunker në kodrën e qytetit të Elbasanit.

Po si përfundoi gruaja 100-vjeçare me djalin e saj 70-vjeçar në bunker? Shefkiu kishte 6 vajza dhe 1 djalë. Shtëpinë të cilën e kishte ndërtuar bashkë me të shoqen dhe nënën ia la trashëgim djalit të vetëm. Para 7 vitesh Shefkiut i ndërroi jetë djali, Iliri, duke lënë jetimë 7 fëmijë. Më herët Shefkiut i kishte ndërruar jetë edhe bashkëshortja.

Shefkiu, i cili gjithë jetën kishte punuar si bari, vijoi të jetonte në atë shtëpi bashkë me nënën, nusen e ve të djalit dhe 7 nipër e mbesa për 4 vite të tjerë. Nusja si duket nuk e përballoi më tej jetesën me vjehrrin dhe nënën e tij, shiti shtëpinë dhe tok me fëmijët e saj u largua për tek prindërit e saj.

Shefkiu dhe nëna e tij mbetën mes katër rrugëve duke gjetur strehë në bunker, ku për ta kujdeset vetëm motra, Xhemilja.

“Të jetosh në bunker është si mos më keq. Hyn uji kur bie shi. Vetëm unë i di. Gjithë natën kalojnë minj. Kemi gjetur edhe gjarpërinj. Mu atje tek cepi i dollapit, tek ai dysheku. I thërrita burrit, e shpoi në kurriz dhe e vrau. Unë e futa në një kavanoz, se thashë do vijë bashkia, pasi i kisha lajmëruar…sa ndodhi kjo ngjarje unë i jam drejtuar bashkisë. Mirë se nusja e shiti shtëpinë, edhe ajo ka hallet e veta, i di vetë ajo, po ama, kjo bashki për dy vetë ta gëzojnë një çikë dhomë aty. Pasi të vdesin këta të vijnë edhe ta shembin. Nuk e dua unë për fëmijët e mij”, thotë Xhemilja, e cila kërkon nga bashkia leje për ndërtimin e një dhome me tualet.

“Problemi im është sa mos më vdesë nëna në bunker. Vuajtjet që kam kaluar, hallall u qofshin. Hallall u qoftë edhe këtyre se e kam nënë, e kam vëlla. Nënën nuk e hedh se nuk e hedh. Këtu do vdes me të, në tunel. Jam e sëmurë, jam me hernie, por them derisa të shtrihem vetë, nënën nuk do e lë.”

Gazetarja Mirela Miroli i bëri thirrje bashkisë Elbasan që t’i sigurojë një banesë Shefkiut dhe nënës së tij sidhe një person që të kujdeset për ta, pasi edhe vetë Xhemilja është e moshuar dhe e ka të pamundur përkujdesjen për të afërmit e saj. /tvklan.al