Emisioni “Historia ime” në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e vështirë të një 59-vjeçareje, e cila nuk ka dashur të identifikohet. Në studio, ajo ka preferuar të thirret me emrin Maria. Familja e saj ka qenë një familje e persekutuar dhe si pasojë, ajo nuk ka mundur dot të vazhdojë shkollën.

Kjo ka qenë një dhimbje e madhe për të, një brengë që Maria nuk e ka harruar dot dhe që e bën të përlotet edhe në studio. Veprimi i saj pasi kuptoi se nuk e kishte fituar shkollën do i sillte pasoja të mëdha. Babai i saj u arrestua dhe gjendja e tij pasi u lirua nuk ishte më e njëjta.

Mirela Milori: Maria sa vjeç je?

Maria: Unë jam 59 vjeç!

Mirela Milori: Ke fëmijë?

Maria: Kam 3 fëmijë, dy vajza dhe një djalë!

Mirela Milori: Çfarë moshe janë?

Maria: Vajzën e madhe e kam 36, 33 të dytën dhe djalin 30 vjeç. Janë të martuar.

Mirela Milori: Më trego pak për veten tënde?

Maria: Unë vij nga një familje e persekutuar nga nëna. Kemi vuajtur, nuk shkolloheshim dot, nuk kishim të drejtën e asnjë gjëje. Mamaja ime dhunohej aq keq sa… Babi im ka qenë oficer në Korçë, por u martua me nënën time dhe gjyshi im u bë i deklasuar, siç quhej atëherë dhe i thanë babait ta linte nënën. Por babi nuk pranoi ta linte nënën time.

Mirela Milori: Sa fëmijë ishit ju?

Maria: Unë nuk kisha lindur, kishin lindur dy vëllezërit e mi. Në vuajtje, në mjerim jetonim në një kasolle ku bagëtitë ishin në një krah, kurse ne jetonim në krahun tjetër, se nuk na përkrahte asnjëri. U rrita, vajta në shkollë, mësoja dhe doja të shkollohesha, por nuk kisha mundësi. Më thoshte babai t’i mëson, por nuk po ta japin shkollën, nuk shkollohesh dot nga gjyshi. Unë e lashë klasën e shtatë, se kisha shumë konkurrentë përpara, ngela në klasë, vetë nga vetja ime, pa i thënë prindërve. Mendoja se do vazhdoja klasën e tetë, nuk ia arrita. Kur u ndanë bursat, unë vajta në Këshillin Popullor atëherë, bashkë me babain dhe nuk ma dhanë mua, ia dhanë dikujt tjetër. Unë e mora tavolinën dhe e ktheva në Këshill.

Mirela Milori: Sa vjeç ishe?

Maria: Unë atëherë isha 13 vjeç!(Qan)

Mirela Milori: Të paska mbetur mendja tek ai moment Maria?

Maria: Po shumë!

Mirela Milori: Po pse? E ke akoma në mendje që nuk vazhdove dot shkollën?

Maria: Nuk vazhdova dot, nuk jetuam dot, nuk ecëm dot! Pastaj e morën babain tim në polici, se menduan se mua më mësoi babai. Ndenji 24 orë në polici, por nuk u kthye mirë. Nuk e di sepse… Mua më duket sikur e vrava unë babain, me atë vepër që bëra, për atë kohë që ishte.

Mirela Milori: Babi kur erdhi e kishin rrahur, e kishin trembur?

Maria: Nuk e di!

Mirela Milori: Nuk ishte mirë që nga ai moment?

Maria: Nuk ishte mirë dhe ashtu vdiq!/tvklan.al