Anila Bushi, një 38-vjeçare me pothuajse 20 vite martesë, thotë se nuk i intereson fare bashkëshorti. Gjithçka që ajo kërkon është qetësia në pronën e saj me 3 fëmijët.

Problem për marrëdhënien në çift është bërë një tokë e blerë nga Qemali në një fshat të Durrësit që në vitin 1998, ku ka ndërtuar edhe një shtëpi. Por Anila pretendon se vëllai i Qemalit, Sytkiu, e ka “riblerë” këtë pronë në vitin 2013 duke i paguar sërish para ish-pronarit dhe gjysma e shtëpisë së saj ka mbetur në pronën e pretenduar nga Sytkiu.

Fakti që Qemali vazhdimisht mbron vëllezërit, dhe nuk i qëndron në krah gruas ka sjellë edhe ftohje në çift. E nëse shtojmë edhe se çifti jeton i ndarë prej shumë vitesh si pasojë e emigracionit të tejzgjatur, mund të thuhet se kjo është një martesë jo-funksionale.

Kjo e bën Anilën të thotë se nuk i intereson më Qemali,  dhe se ai po të dojë mund të ketë edhe një jetë tjetër në Suedi, ku është shpërngulur pas shumë vitesh në Greqi. Për të mjafton vetëm të jetë e qetë në pronën e saj me fëmijët. Qemali nga ana tjetër pohon se mund të ketë lidhje jashtëmartesore duke thënë: “Po emigrantë jemi, të lirë jemi atje. A mund të më thuash një emigrant që nuk ka dikë.”

Qemali: Unë kur kam ikur nga Dibra u kam premtuar zonja Eni që do t’i bëj me tokë, por jo që me më ngul thikën pas shpine. U kam pas premtuar nga 1 dynym tokë çdo vëllai, 2 dynym do t’i mbaj unë. Ata nuk i kanë ndenj këtij premtimi. U bë shtëpia me 3 kate, donin një rrugë përmes kolonave. U kam thënë se pasi të bëhem unë pronar, do jua bëj me letra juve. Jo dikush tjetër, unë do jua bëj. Ata nuk i kanë ndenj këtij premtimi.

Eni Çobani: (Anila) Ku ke qenë ti kur këta bënin këto marrëveshje?

Anila: Nuk më intereson marrëveshja çfarë ka bërë me vëllezërit e vet. Mua më intereson marrëveshja me mua, që unë të jetoj e qetë. Unë dua të punoj tokën, vjen kunati dhe më vendos kufirin tek dera. Ky thotë dal me qira unë me gruan, vetëm vëllezërit të jetojnë të qetë. I ka blerë 4 dynym tokë që në vitin 1998 dhe thotë grua dalim me qira që të jem i qetë me vëllezër. Në asnjë mënyrë zonja Eni. Nuk e pranoj, dua të jem e qetë me fëmijët e mi, të shkojë nga të dojë. Pikë. Fund. Më ka ardhur në maje të hundës.

Qemali: Ata i kam vëllezër dhe ata nuk i hedh unë.

Anila: Ky ua fal, ata ia marrin me shtet. Me mua ke ndarjen këtu para publikut. S’ke për të ik në Suedi as emigrant, nuk dua kokërr leku, jetoj vetë me fëmijët e mi. Kam krahët e mi, jetoj vetë unë.

Qemali: Nuk të pyes ty se nga shkoj unë.

Zonja Eni i thotë Anilës se më shumë ajo duket se e ka problemin me emigracionin, por edhe Qemal kush e di si e ka punën: “Si duket Qemali nuk po largohet dot nga andej, sepse ka punë a ka probleme, nuk e di.”

Anila: Edhe dashnore le të ketë zonja Eni. Nuk më intereson. Dua që të ndalet konflikti.

Eni Çobani: Aaa. Nëse ju jeni e sigurt që ai ka një jetë tjetër atje, është shumë e rëndë kjo. Juve po ju akuzon bashkëshortja shumë rëndë zoti Qemal. Keni një jetë tjetër në Suedi? Nuk besoj.

Qemali: Po emigrantë jemi, të lirë jemi atje. A mund të më thuash një emigrant që nuk ka dikë.

Anila: Shikoje zonja Eni. Dhe unë me 3 fëmijët këtu.

Eni Çobani: Tani unë jam pa fjalë. Nëse të gjithë emigrantët…e thatë për shaka besoj.

Qemali: E thashë për shaka zonja Eni.

Eni Çobani: A për shaka, por gjysma e shakasë është e vërtetë kështu që…

Anila: Po, po, për shaka, nuk më intereson shakaja zonja Eni. Le të ketë edhe dashnore, nuk më intereson zonja Eni.

Eni Çobani: Besoj që emigrantët jashtë nuk shkojnë për këto qëllime. Shkojnë për të mira materiale për familjet që lënë këtu. Dhe i përshëndesim të gjithë emigrantët.

Anila: Zonja Eni, qetësia materiale është qetësia e familjes.

Eni Çobani: Po burri ka rëndësi për ty se s’po e dëgjoj fare burrin?

Anila: Nuk mundem zonja Eni, asnjë të drejtë nuk ka zonja Eni. Më ka lënë në mes të rrugëve me 3 fëmijë.

Qemali: A po dëgjon pak? Më duket në këtë mes ke faj edhe ti pak. Më fal, por dua me ta shpreh. Se këto gratë i ke bërë si nxitëse.

Ardit Gjebrea: 1 minutë se kjo më pëlqen tani. Mirë gjithë të tjerat, por më fal, na doli me faj edhe zonja Eni. Po pse?

Qemali: I ke bërë gratë nxitëse dhe ku do të shkojmë? Shkojmë tek Eni Çobani? Ju përgëzoj dhe je grua e hekurt, ama është shumë peshë u ke dhënë.

Eni Çobani: U jap dorë grave? Po mirë unë nuk marr vetëm gratë, por marr edhe burrat. Burri këtu më thotë zonjë, unë jam i lirë atje, do të bëj edhe një jetë tjetër, kjo zonja le të rrijë këtu. Si thau ti ta pranoj unë këtë?

Qemali: Ndoshta bëj edhe gabim dhe kërkoj ndjesë. Por më duket një gjë e tepërt ndaj grave kjo.

Eni Çobani: Unë po të isha në vendin e Anilës do ta kisha të vështirë të thoja bëj çfarë të duash. Unë s’jam nga ato që të them ty bëj çfarë të duash.

Anila: Zoti Ardit mua nuk më intereson fare. Fare nuk më intereson.

Ardit Gjebrea: Çfarë nuk të intereson?

Anila: Burri nuk më intereson fare. Fare, fare, fare.

Ardit Gjebrea: Si moj nuk të intereson burri?

Anila: Kam 3 djem si 3 yje. Përderisa ky nuk gjen një zgjidhje, që të jetojë gruaja me 3 fëmijët.

Ardit Gjebrea: Po sa vjeçe je ti?

Anila: 38.

Ardit Gjebrea: 38 vjeçe dhe s’të intereson burri?

Anila: Fare, sepse ma ka mbush kupën zoti Ardit. 

Qemali: Ka mundësi të mbyllë pak gojën, që të mos i shkoj unë tek goja dhe t’ia mbyll. Se ia mbyll gojën unë. Po ta mbyllë pak gojën.

Anila: Ky është akoma me kohën e “Baba Qemos” Zonja Eni. Sundon gruan, mban vllazninë. Nuk i intereson gruaja me 3 fëmijët. Unë skam nevojë për këtë, të shkojë të jetojë me vëllezërit, me nënë, me kë të dojë. Kam 3 fëmijët e mi si 3 yje. /tvklan.al