Policia ka qëlluar një grua në një stacion metroje në Paris mëngjesin e sotëm. Personat që u ndodhën në vendin e ngjarjes thanë për mediat lokale se gruaja po kërcënonte kalimtarët.

Një burim policor tha për BBC-në se ata ndërhynë në stacionin “Bibliothèque François-Mitterrand” pasi u njoftuan nga udhëtarët e alarmuar.

Thuhet se gruaja, e cila mbante hixhab, kërcënoi se do të hidhte veten në erë. Burimi tha se kur ajo refuzoi të zbatonte urdhrat e policisë, ata hapën zjarr. Gruaja thuhet se është në gjendje kritike për jetën, pasi u qëllua me armë zjarri në bark.

Incidenti vjen në mes të tensionit të rritur në Francë të shkaktuar nga lufta Izrael-Hamas./tvklan.al