Nëna e 4 fëmijëve pak kohë më parë rrëfeu në programin “Historia ime”, në Tv Klan historinë e saj tepër të vështirë. Problemet në familje, dhuna dhe marrëdhënia aspak e mirë me vjehrrën, e detyroi që të largohet nga shtëpia bashkë me fëmijët e saj.

Ajo bëri apel në studio për ndihmë dhe ditën e sotme u rikthye sërish në program, për të treguar se Bashkia ka siguruar shtëpi për të dhe fëmijët e saj.

Por mes lotësh, ajo tregoi se këtë lajm të mirë nuk e ka ndarë me familjen e saj. Marrëdhënia mes tyre nuk është e mirë, por gjithashtu prindërit e saj janë me sklerozë dhe nuk mund të gëzojnë dot për të.

Më tej, ajo tregon se djali i saj 15-vjeçar i ka përjetuar shumë keq situatat që kanë kaluar dhe ajo e ka të vështirë të flasë me të.

Mirela Milori: Ke bërë ndonjë telefonatë që i ke dhënë lajmin dikujt, ndonjë të afërmi?

Gruaja: Jo asnjë njeriu, përveçse unë dhe fëmijët. Dhe aty ku unë jam mbështetur që e dinë, asnjë tjetër.

Mirela Milori: Në familjen tëndë askush tjetër?

Gruaja: Askush tjetër!

Mirela Milori: Unë e di marrëdhënien e vështirë, por nuk mendon që mund të rregullohet kjo marrëdhënie tani që po stabilizohesh? Që po tregon që je një nënë që luftove për fëmijët e tu, me të keq dhe me të mirë. Mendon që mund të vendoset një urë komunikimi mes teje dhe familjes tënde?

Gruaja: Prindërit do doja qe të merrnin vesh, ata nuk janë në gjendje që të gëzojnë sot. (qan).

Mirela Milori: Po ndoshta po ta marrin vesh që je stabilizuar, që je me fëmijët në shtëpinë tënde, ndoshta do të gëzojnë në çfarëdolloj gjendje që të jenë, si thua?

Gruaja: Besoj se po! Ata janë të sëmurë me sklerozë (qan).

Mirela Milori: Unë nuk dua që të qash dhe të të kthejmë atë gjendjen. Fëmija do të mbetet gjithmonë fëmijë për prindin dhe prindi, prind për fëmijën. Që kështu marrëdhënia sido që të jetë nuk do thyet, ti duhet të bëhesh tani një nënë e fortë, që të rritësh 4 djemtë e tu. Sa është i madhi?

Gruaja: 15!

Mirela Milori: Është në moshë delikate, komunikon me të? Si e ke marrëdhënien?

Gruaja: Është pak e vështirë, se ai i ka përjetuar gjërat keq, si largimin nga fshati, si ardhjen këtu në strehëz. Prapë dhe tani që kemi dalë, i merr gjërat me stres. Të them të drejtën dhe për sot nuk i kam thënë, se herën e parë e përjetoi shumë keq.

Mirela Milori: Që dole?

Gruaja: Po!

Mirela Milori: Po askush se kuptoi se kush je, vetëm ai e dinte!

Gruaja: Po, por e përjetoi. Nuk e kam mirë të them të drejtën!

Mirela Milori: Në ç’kuptim nuk e ke mirë?

Gruaja: Se kam mirë, se nuk ja them dot gjërat siç janë dhe duke vazhduar t’ia fshehësh gjërat e vuan nga brenda.

Mirela Milori: Tre të tjerët si janë?

Gruaja: Më ndryshe, mundohen të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin./tvklan.al