Kompania e fluturimeve American Airlines, ka larguar një grua myslimane nga fluturimi pasi një nga pasagjerët meshkuj është shprehur se “nuk ndihet rehatë me prezencën e saj në aeroplan” .

Amani al-Khatahtbeh është themeluese e faqes në internet  “Vajzat Myslimane” dhe gruaja e parë myslimane që ka kandiduar për Kongres në New Jersey. Ajo do të fluturonte nga Newark në Karolinë të Veriut, në 14 Nëntor. Por Amani pretendon se një pasagjer gjatë kontrollit të sigurisë e ka ngacmuar atë dhe është bërë shkak që ajo të largohet nga aeroplani.

al-Khatahtbeh është shprehur në Twitter se burri kishte vënë bagazhet e tij para saj dhe ka kapërcyer radhën për të kaluar në detektorin në aeroport.

Ajo ka shtuar se, në vend që agjentët ta këshillonin burrin, i kanë thënë asaj që “të priste”.

Sipas The Independent është shumë e paqartë se çfarë kishte ndodhur midis tyre dhe sigurimit gjatë hipjes në aeroplan, por sapo al-Khatahtbeh është gjendur në kabinë, asaj i është kërkuar të largohej.

Në një video të shpërndarë në mediat sociale thuhet se “ajo po largohet nga fluturimi sepse një pasagjer nuk po ndihet rehat me praninë e saj.”

Pas këtij rasti, ka reaguar edhe drejtori ekzekutiv kombëtar i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, Nihad Awad, ai është shprehur se: “Linja ajrore duhet të shpjegojë menjëherë pse ka veçuar Amani-n, duke e kontaktuar policinë dhe duke e dëbuar atë nga një fluturim, bazuar në fjalën e një burri që dyshohet se e kishte ngacmuar atë./tvklan.al