73-vjeçarja lind binjake

73-vjeçarja lind binjake

22:40 06/09/2019

Të nesërmen bashkëshorti 82-vjeçar pëson goditje në tru

Një grua 73-vjeçare në shtetin e Indisë Jugore të Andhra Pradesh ka lindur dy vajza binjake. Mjekët mirëpritën në jetë vajzat pas trajtimit IVF ditën e enjte. “Nëna dhe vajzat janë në gjendje të mirë shëndetësore”, tha për “BBC Telugu” mjekja e gruas, Dr. Uma Sankar.

Mangayamma Yaramati tha se ajo dhe bashkëshorti i saj 82 vjeçar gjithmonë kanë dashur të kenë fëmijë, por nuk kishin arritur deri më tani.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur”, tha bashkëshorti i saj, Sitarama Rajarao, disa orë pas ardhjes në jetë të dy vajzave.

Por vetëm një ditë më pas, Rajarao pësoi një goditje të papritur në tru dhe aktualisht po trajtohet në spital.

“Asgjë nuk është në duart tona. Çfarëdo duhet të ndodhë do të ndodhë. Gjithçka është në duart e Zotit”, tha ai, i pyetur se kush do të kujdesej për vajzat nëse atyre u ndodhte diçka si pasojë e moshës së thyer.

Pasja e fëmijëve ishte ëndrra e tyre më e madhe, pasi edhe në fshat stigmatizoheshin. “Më thërrisnin gruaja pa fëmijë”, tha Yaramati. “Kemi provuar shumë dhe jemi mjekuar nga shumë mjekë”, tha ajo, duke shtuar se “kjo është dita më e lumtur e jetës sime”.

Në vitin 2016, një tjetër grua indiane në të 70-at, e quajtur Daljinder Kaur solli në jetë një djalë./tvklan.al

Të ngjashme