LSDM: VMRO-DPMNE është organizatore e incidenteve në Kuvend

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski tani më i arratisur në Hungari përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka komentuar aktakuzat e ngritura për organizatorët e 27 Prillit, ku në listën e të akuzuarve gjendet edhe ai. Gruevski thotë akuzat ndaj tij janë gënjeshtra.

 “Është gënjeshtër informacioni se i kam bërë thirrje qytetarëve që të mos rrinë në shtëpi, por të dalin dhe dhunshëm të hyjnë në Kuvend”, ka shkruar Gruevski.

Ndërkaq, partia në pushtet LSDM nëpërmjet një njoftimi me shkrim thotë se “aktakuza po e vërteton se VMRO-DPMNE është organizatore e dhunës së 27 prillit”. Sipas tyre, këto janë figura të Nikolla Gruevskit dhe bashkëpunëtorë të Mickoskit.

“Vendimi i Gjykatës Penale që të pranojë aktakuzë kundër Trajko Veljanoski, Mile Jankeskit, Spiro Rostovski dhe Vlladimir Atanasov për organizim të dhunës së 27 prillit është vërtetim se VMRO-DPMNE qëndron pas hyrjes së dhunshme në Kuvend. Mickoski jo vetëm që nuk u distancua nga dhunuesit, por ai dhe VMRO-DPMNE-ja e tij, por edhe mentori i tij nga Budapesti publikisht i përkrahin”, shprehen nga LSDM.

Nga LSDM  shtojnë se 27 Prilli është fytyra e vërtetë e regjimit dhe e VMRO-DPMNE-së kriminale ndërsa Mickoski me vazhdimin e politikave të Gruevskit, sipas LSDM-së, nuk ofron asgjë përveç mbrojtjes së krimit dhe dhunës.

Tv Klan