Mediat serbe hedhin dyshime se ish-Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski shfrytëzoi territorin shqiptar për t’u arratisur drejt Hungarisë. Siç shkruan e përditshmja serbe “Politika”, Gruevski hyri në Shqipëri me rrugë tokësore me një pasaportë të falsifikuar para datës 12 Nëntor kur Gjykata Penale e Shkupit lëshoi urdhërarrest për të.

“Politika” shkruan se Gruevski është pritur në ambasadën hungareze në Tiranë. E kontaktuar nga televizioni Klan, kjo ambasadë nuk preferoi të japë komente. Hidhen dyshime se ish-Kryeministri është nisur nga aeroporti i Rinasit drejt Budapestit, i veshur me syze dielli dhe kapele për të mos rënë në sy. Në shkrim hidhet një detaj i dyshimtë, pasi thuhet se Gruevski është nisur me një avion të shoqërisë Malev, që në fakt ka reshtur së funksionuari që prej vitit 2012.

Zëdhënësit e qeverisë hungareze thanë për mediat maqedonase se Gruevski ishte paraqitur në një ambasadë hungareze, jo në atë të Shkupit, por pa e specifikuar se ku.

I pyetur nga mediat hungareze se si është e mundur që një i dënuar të hyjë ilegalisht në këtë vend, Kryeministri Viktor Orban dha përgjigjen e shkurtër: “Pyesni avokatët”.

Prokurorët në Shkup kanë nisur hetimet për zbulimin e bashkëpuntorëve të mundshëm brenda Ministrisë së Brendshme në arratisjen e Gruevskit. Mediat amerikane citojnë zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit të jenë shprehur se dënimi i Gruevskit ishte transparent dhe se ai duhej të kthehej për t’a vuajtur.

Tv Klan