Rithemelimi: Nuk përfaqëson PD, fakton marrëveshjen Rama-Basha

Për të dytën herë radhazi Enkelejd Alibeaj nuk arriti të bënte bashkë deputetët e grupit parlamentar, të cilët e bojkotuan sërish, ndonëse ishin thirrur për të diskutuar lidhur me draftin për kriteret që duhet të përmbushë kandidati për President.

Në takimin që zgjati për afro tre orë, Alibeaj pretendoi se 22 deputetët e pranishëm përbënin kuorumin e nevojshëm, por në fund edhe kjo mbledhje rezultoi pa një vendimmarrje. Më shumë sesa çështja e numrave, Alibeaj tha se ndihet i shqetësuar për një kusht që duhet të përmbushet në procesin e përzgjedhjes kreu i ri i shtetit.

“22 deputetë janë ata të cilët sot përbëjnë atë që quhet kuorum. Është kuorumi, është i qartë. Jam i autorizuar t’ju them nga grupi parlamentar një gjë që është e pacedueshme, antikomunist”.

Por Komisioni i Rithemelimit e cilësoi draftin e Alibeajt si vijim të marrëveshjes Rama-Basha dhe aspak si dokument të demokratëve.

Marrëveshja Rama-Basha-Alibeaj është një akt tradhtie ndaj 620 mijë zgjedhësve që votuan më 25 prill për PD dhe opozitën shqiptare. Ky dokument është një akt keqpërdorimi dhe keqshfrytëzimi si fasadë, por edhe poshtërimi nga Edi Rama të Bashaalibeit dhe ndonjë ndjekësi të tyre, me farsën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës”.

I njëjti qëndrim u mbështet edhe nga nënkryetari i grupit parlamentar, deputeti Ervin Salianji.

Në dokumentin e shpërndarë nga Alibeaj përcaktohet që kandidati për president nuk duhet të jetë marrë me politikë në 5 vitet e fundit, si dhe të plotësojë kushtet e pastërtisë së figurës. Pas mbledhjes së grupit Alibeaj tha se drafti do të diskutohet edhe me aleatët dhe se në Konferencën e Kryetarëve nuk do të shkojë për negociata me maxhorancën.

Tv Klan