Edhe kjo e hënë nuk ofroi asgjë ndryshe nga java që lamë pas, kaos e tension në Kuvend. Dyert e Kryesisë së Kuvendit nuk u hapën për deputetin demokrat Edmond Spaho, të cilin Garda nuk e lejoi të marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të thirrur nga Gazment Bardhi, me argumentin e përjashtimit për 10 ditë nga punimet e Parlamentit.
E ndërsa Spaho u detyrua të largohej Komisioni i Sigurisë ku pritej të raportonte Kryetarja e SHISH-it, Vlora Hyseni, u vu nën kontroll nga opozita.
Flamur Noka u ul në vendin e kryetarit të Komisionit të Sigurisë, teksa ky i fundit kërkoi nga opozita vijimin normal të mbledhjes.
“Do ju lutesha në mënyrë demokratike të na lejoni ta zhvillojmë mbledhjen.”
“Nëse drejtoresha do, të vijë të raportojë për vjedhjen e të dhënave të TIMS për të cilat ne kemi kërkuar Komision Hetimor.”
Për shkak të kaosit në sallë, Naço u detyrua të ndërpresë mbledhjen e komisionit të sigurisë dhe ta zhvendosë mbajtjen e tij online.
Naço: Vijojmë online, ju shkoftë mbarë.
Bardhi: Online janë edhe të dhënat e TIMS që vodhët. Ju po shkelni rregulloren.
Pas bllokimit të komisioneve dhe mbledhjes së grupit, njëzëri si Berisha, ashtu edhe Gazment Bardhi paralajmëruan mazhorancën se nuk do ketë normalitet deri në rikthimin e kushtetushmërisë së opozitës në Parlament, duke mos përjashtuar edhe grevën e urisë.
E teksa Berisha e Bardhi ftuan mazhoracën të reflektojë pas konstatimeve në progress-raport dhe qëndrimeve të ambasadorëve në Tiranë, socialistët për të shmangur përplasjet nëpër komisione, vijuan sërish me mbledhjet online.
Tv Klan