Berisha e Bardhi: Armatosi Gardën, shkeli ligjin

Partia Demokratike ka paralajmëruar kallëzimin penal në SPAK ndaj Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla. Në një mbledhje urgjente me grupin parlamentar pas seancës plenare, Gazment Bardhi akuzoi Nikollën se ka lejuar punonjësit e Gardës të futen të armatosur në sallën e Parlamentit.

Gazment Bardhi: Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë kallëzim penal për “shpërdorim detyre” ndaj kryetares së Kuvendit, e cila mendon se do të trembë opozitën me Gardën me gardistë e punonjës policie të armatosur.

Ndërsa ish-kryeministri Berisha deklaroi se opozita disponon prova të pakontestueshme për armatosjen e punonjësve të Gardës në kundërshtim me ligjin brenda ambjenteve të kuvendit.

Sali Berisha: Në mënyrë absolute kemi prova se personi, i cili fizikisht u shty dhe u kap me Ervin Salianjin kishte armë nën xhileh.

Berisha e Bardhi dënuan me forcë edhe praninë e agjentëve të BKH-së në kuvend, pas përfundimit të seancës plenare.

Sali Berisha: Një organizatë e vërtetë kriminale që komandohet nga Edi Rama, është sot në sallën e Parlamentit duke dëshmuar se është një vegël e verbër e Edi Ramës.

Gazment Bardhi: Ne i presim prokurorët të shkojnë në zyrën e Edi Ramës, në zyrën e ministrave, ku në mungesë të plotë transparence ndaj qytetarëve, vidhen çdo ditë miliona Euro nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat nga qytetarët shqiptarë.

Në mbledhjen e grupit, njëzëri demokratët vendosën përshkallëzim të aksionit opozitar deri në plotësimin e kërkesave të tyre për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, shqyrtimin e 33 nismave ligjore të propozuara gjatë një viti si dhe ndryshim të përbërjes së anëtareve të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Në të kundërt, ata thonë se do përdorin çdo formë të mosbindjes civile brenda dhe jashtë Parlamentit.

Tv Klan