Xhihadistët e Al-Shabaab kanë sulmuar një bazë ushtarake në Kenia e cila strehon ushtarë amerikanë së bashku me trupat lokale. “RT” raporton se nga sulmi kanë mbetur katër persona të vrarë.

Sulmi ndodhi në bazën detare të “Camp Simba” në Gjirin Manda në Qarkun Lamu në brigjet e Kenia, në kufi me Somalinë. Komisioneri i qarkut Lamu Irungu Macharia i tha gazetës lokale “Daily Nation” se militantët, të armatosur, sulmuan kompleksin në orën 4 të mëngjesit me orën lokale.

I themeluar në vitin 2004, “Camp Simba” është përdorur nga SHBA për të trajnuar njësitë detare dhe besohet se luan një rol të rëndësishëm në operacionet Amerikane në Somali dhe Jemen, përfshirë sulmet me dron.

Trupat keniane marrin pjesë në Misionin e Bashkimit Afrikan në Somali (AMISOM), i cili ka për qëllim mbështetjen e qeverisë somaliane në luftën e saj kundër Al-Shabaab.

Al-Shabaab shpesh kryen sulme terroriste në Kenia. Në dhjetor, militantët bllokuan një autobus në pjesën veriore të vendit, duke vrarë 11 persona, mes tyre 7 oficerë policie. Një nga sulmet më të përgjakshme ndodhi në vitin 2013, kur grupi hyri në një qendër tregtare në Nairobi, kryeqytetin e vendit, duke vrarë më shumë se 60 persona, kryesisht civilë. /tvklan.al