Grupimi “Për PD”: Gara për kryetarin e pabarabartë




Grupimi “Për PD”: Gara për kryetarin e pabarabartë

11:47 25/05/2021

Nishani: Basha hipokrit me qëndrimin për Berishën

Vetëm pak ditë pasi kryesia e Partisë Demokratike përjashtoi nga procesi Ibsen Elezin, grupimi për PD-në kërkon rikthimin e tij në garë për kreun e ri të demokratëve.

Anëtarë të këtij grupimi e cilësuan antistatutore dhe antidemokratike këtë vendimmarrje pas së cilës thanë se qëndron Lulzim Basha. Njëri prej themeluesve të PD-së, Arben Imami teksa e cilësoi të pabarabartë garën kërkoi vënien në dispozicion të listave të anëtarësisë që do të drejtohet në 13 qershor në kutitë e votimit.

“Gara është e pabarabartë, është orientale. Listat janë detyrim, kjo është si listat e Ramës në 2003, këto janë shkelje të rënda.”

Por kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani shkoi edhe më tej me akuzat në adresë të Bashës kur u pyet lidhur me qëndrimin e mbajtur për vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që e shpalli liderin historik të demokratëve “non grata”.

“Modeli i Berishës është model institucionalizimi dhe ndershmërie. Qëndrimi i Bashës është qëndrim hipokrit, ai u mbështet tek kërkesa për transparencë. Transparencën duhet ta bëjë Basha, pasi në opinionin publik ka diskutime se është i ndikuar nga Berisha në vendimet e rëndësishme që ka marrë në PD. Dhe Basha se ka përgënjeshtruar këtë gjë. Ai duhet të flasë publikisht a është shantazhuar nga Berisha për t’i marrë vendime apo janë vendimet e tij, kjo është transparenca që duhet të bëjë.”

Sakaq edhe kandidati tjetër në garë Fatbardh Kadilli i pyetur se nëse do të zgjidhej kryetar i PD-së do ta përjashtonte Sali Berishën nga grupi parlamentar pas vendimit të DASH tha se lideri historik i demokratëve është institucion dhe se e vendos vetë ai distancën me Partinë Demokratike.

Tv Klan





Të ngjashme