Grupi që falsifikonin vizat, zbardhen detaje të reja


Grupi që falsifikonin vizat, zbardhen detaje të reja

18:10 19/07/2021

SPAK thekson në dosje se baza e tyre ishte në Tiranë, Prizren dhe në Prishtinë

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja voluminoze e grupit që merrej me falsifikimin e vizave, për qytetarët që dëshironin të emigronin drejt Anglisë, SHBA-së dhe Kanadasë. Pak ditë më parë SPAK mbylli hetimet dhe dorëzoi dosjen në gjykatë.

Referuar fashikujve të prokurorisë rezulton së në bazë të përgjimeve, të dyshuarit, gjatë komunikimeve me njëri tjetrin kanë përdorur gjuhë të koduar në mënyrë që të mos kuptoheshin se për çfarë po diskutonin. Ndërkohë gjatë ekspertizës së celularëve të disa prej të të dyshuarve janë gjetur foto dokumentesh false, të cilat u jepeshin qytetarëve që paguanin një shumë parash nga 10 mijë deri në 20 mijë euro për të udhëtuar në drejtim të Anglisë, SHBA-së dhe Kanadasë.

Sipas dosjes së SPAK baza e këtij grupi ishin Tirana, Prizreni dhe Prishtina. 24 të pandehurit do të përballem me gjykatën gjatë seancës paraprake ku do të vendoset edhe fati i çështjes. Prokuroria ka arritur të dokumentojë 16 raste të tentativave të qytetarëve shqiptarë për të udhëtuar nga vendet europiane Shengen drejt Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë e SHBA-ve duke përdorur dokumenta të falsifikuara nën emra shtetasish të huaj.

Ndaj të dyshuarve rëndojnë disa akuza si “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufinve”, për hyrjen e paligjshme të një personi në një shtet tjetër pa qenë shtetas i tij dhe pa leje qëndrimi në atë shtet, e për qëllime fitimi, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe përmes “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”.

Ndërkohë prokuroria ka kërkuar pushim të çëshjtes penale në ngarkim të Gëzim Breza e Besnike Tufa, pasi nuk është provuar përfshirja e tyre në këtë grup kriminal. 

Klan News







Të ngjashme