“Zgjedhjet, në shkelje të statutit. Basha vijon pazarin me Ramën”

Edit Harxhi, e cila mori 983 vota në garën për kreun e ri të Partisë Demokratike, i cilësoi zgjedhjet e 13 Qershorit të pabarabarta dhe në shkelje të statutit. Në krah të anëtarëve të grupimit për PD-në, Harxhi tha se nuk e njeh rezultatin dhe as Lulzim Bashën si kryetarin e ri të partisë.

Sipas Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani , në zgjedhjet e së djelës Lulzim Basha përfaqësoi më pak se 30% të anëtarësisë, në një proces, ku sipas tij u evidentuan shkelje të rënda, nga lënia jashtë votimit e 28 mijë anëtarëve, e deri tek thirrja që drejtues e deputetë të degëve i kanë bërë anëtarësisë për të votuar Lulzim Bashën.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani tha se anëtarësisë iu mohua jo vetëm e drejta e votës por edhe ajo e ankimimit. Arben Imami shkoi edhe më tej kur tha se Basha vijon bashkëpunimin me Edi Ramën. Qëndrim që e përforcoi edhe ish-Presidenti Nishani.

Anëtarët e grupimit për PD-në thanë se do të vijojnë betejën për ringritjen e partisë, që sipas tyre, është marrë peng nga Lulzim Basha.

Tv Klan