Qytetarët: Edhe pse e kemi kaluar koronavirusin, vaksinimi na jep siguri

Grupmosha mbi 60 vjeç po imunizohet prej ditësh me dozën e dytë të “Sinovac” te sheshi “Skënderbej” në kryeqytet.

Një pjesë e tyre shprehen për “Klan News” se, edhe pse e kanë kaluar koronavirusin muaj më parë, marrja e vaksinës i bën ata të ndihen më të sigurt.

Pjesë e procesit të vaksinimit janë bërë edhe punonjësit e transportit publik të cilët po marrin dozën e parë të “Sputnik”.

Gjatë këtyre ditëve janë vaksinuar rreth 300 punonjës të këtij sektori të cilët ishin të riskuar nga prekja e Covid-19.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se me ardhjen e vaksinave të tjera, pragu i moshës do të zbresë nën 60 vjeç në të gjithë vendin.

Po ashtu të gjithë qytetarët e imunizuar me të dyja dozat mund të marrin certifikatën e vaksinës anti-covid në portalin e-Albania.

Klan News