Ushtria e Mianmarit ka paralajmëruar protestuesit që janë kundër grushtit të shtetit se nëse protestojnë dhe pengojnë punën e autoriteteve të reja do të përballen me burg deri në 20 vite.

Dënimet dhe gjobat do të zbatohen gjithashtu për ata që zbulohen se nxisin “urrejtje ose përbuzje” ndaj udhëheqësve të grushtit të shtetit.

Ushtria, e cila tashmë ka marrë drejtimin e shtetit të Mianmarit, në një deklaratë ka bërë me dije se ndryshimet ligjore janë miratuar tashmë dhe nuk do të tolerojë askënd.

Por edhe pas paralajmërimeve nga ushtria, sërish qindra qytetarë kanë dalë për të protestuar. Nga ana tjetër automjetet e blindura të ushtrisë vijojnë patrullimet në rrugët e qytetit për të ndaluar ata që nuk binden.

Demonstruesit po kërkojnë lirimin nga paraburgimi të udhëheqësve të tyre të zgjedhur, përfshirë Aung San Suu Kyi, dhe rivendosjen e demokracisë në Mianmar./tvklan.al