Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, hodhi akuza të forta nga Presidentit të Republikës, Ilir Meta, duke thënë se ai ka qenë personi që ka kultivuar atë që qeveria e quan grusht shteti. Gjatë emisionit Opinion, Veliaj tha se pas bllokimit të fluturimeve në aeroportin e Rinasit ka prova që qëndron kreu i shtetit.

Madje sipas tij, ishte organizuar që kjo lëvizje nga kontrollorët e trafikut ajror të kishte efekt domino. Kjo sipas Veliajt do të realizohej nga një organizatë të përndjekurish fiktive që ka kërkuar në Bashkinë e Tiranës, të hyjë në grevë urie.

Juli Xhokaxhi: Ju kam dëgjuar edhe sot, kam dëgjuar edhe kryeministrin dhe ministren Balluku, grusht shtetit, fajin e ka Saliu, fajin e ka Ilir Meta duket, është krijuar një lloj mendimi tek opinioni gati në urrejtje për këta kontrollorë. Nuk shkon kjo gjë, se duket sikur hedh një pjesë të qytetarëve kundër të tjerëve. Se ju brenda politikës bëni çfarë të doni? Brenda qytetarëve pastaj nuk shkon kjo gjë. Duhet me patjetër të përdorni në këto përmasa? Duhet ta ekzagjeroni deri në këto përmasa.

Erion Veliaj: Opinioni im është që Po këtu kishte një besëprerje nga një komunitet shumë i vogël që ka një rëndësi shumë të madhe. Varet jo pak lufta me pandeminë, sepse nga aeroporti a vijnë vaksinat. Varet jo pak një sërë procesesh me shëndetin, të atyre që kishin skeduluar një operacion, varet një pjesë e atyre që donin të shkonin në një takim me mjekun, atyre që po prisnin të përcillnin për në Sharrë dhe Tufinë të afërmit e tyre. Mua kjo nuk më duket shaka, sidomos kur ligji e thotë mirë, nëse nuk bie dakord në negociatë, ti shkon në gjykatë. Nëse ti në televizionin ku punon do ta zgjidhje mosmarrëveshjen duke u shtrirë në tavolinën e lajmeve dhe do thoshe nuk largohem nga këtu, do shkelje ligjin dhe besimin që përdor valët e hapësirë publike për të zgjidhur një mosmarrëveshje personale duke cënuar atë që është pronë publike.

Juli Xhokaxhi: Pse është grusht shteti i iniciuar nga Presidenti i Republikës dhe ish-Presidenti i Republikës? Këtë mund ta sqarojmë dhe në rast se keni fakte dhe prova pse nuk i arrestoni se të bësh një grusht shteti duhet të shkosh në burg?

Erion Veliaj: Është një proces. Do shikohet që kush ka qenë që e ka frymëzuar. Mua më rezulton që ka dhe WhatsApp-e të tjera, ka edhe mesazhe të tjera që provojnë lidhje me faktorë të politikës.

Juli Xhokaxhi: Po na i thoni pra?

Erion Veliaj: Le t’i lemë kohë prokurorisë t’i zbardhë të gjitha. Sepse më rezulton që lidhja me Presidentin e Republikës, e para e punës u bë publike, ishte njeri që e ka kultivuar. Sot u vazhdua me tentativa të tjera që dështuan. Ishin krijuar organizata fiktive të përndjekurish që sot do të futeshin në grevë urie. Ja po ta them një lajm sot. Sot edhe një kërkesë në Bashki të Tiranës dhe në polici të një organizate të pëndjekurish që nuk kisha dëgjuar kurrë që do të futemi në grevë urie.

Blendi Fevziu: Për çfarë arsye?

Erion Veliaj: Për këstet e të përndjekurve që unë i pagova të shtata. Saliu i dha një meqë ra fjala, ne si socialistë dhamë 7 këste. Thjesht po të them që ka mjaftueshëm indicie. E gjithë koincidenca është që këtu është përgatitur një efekt domino i disa ndërhyrjeve parazgjedhore të cilat kishin vite që mund të ishin shprehur ose edhe pas dy javësh. Për faktin që po dëgjojmë për këto dy raste, jam i bindur që do të ketë të tjera, provon që kjo ka një prapaskenë politike. Dhe po ju them, diçka di pa e them, që provohet në më shumë se një mënyrë që Presidenti i Republikës jo vetëm që e ka kultivuar, që anëtarë të LSI-së jo vetëm që janë  pjesë e koordinimit. Është negociuar dhe mënyra kur do të dilnin  në media për të pasur një efekt sa më të madh në publik. Fatmirësisht kjo dështoi. Fatkeqësisht ata fatkeqë se unë besoj janë masha të politikës, janë para drejtësisë, Ilir Meta me Sali Berishën sot janë zhdukur. Shpresoj që t’ia dalin mbanë në përballje ligjore, por në përballje morale ata sot janë besëprerë, na kanë prerë në besë të gjithë. /tvklan.al