Gjykata e Lartë në Podgoricë dha dënime me deri 15 vite burg për 14 të akuzuarit për tentativën e grushtit të shtetit të tetorit 2016, në përpjekje për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Dënimet më të larta u dhanë për Eduard Shishmakovin dhe Vladimir Popovit, përkatësisht 15 dhe 12 vite burg. Dy shtetasit rusë, të dënuar në mungesë, akuzohen si agjentë të shërbimeve sekrete të Moskës dhe janë në kërkim edhe nga Interpoli. Ata mbajnë identitete të ndryshme të falsifikuara. Portali investigativ “Bellingcat” ka zbuluar se Vladimir Popov është pjesë e agjencisë ushtarake ruse të zbulimit dhe se identiteti i tij i vërtetë është Vladimir Nikolaeviç Moisev.

Me nga 5 vite burg u dënuan edhe dy drejtues të Frontit Demokratit të opozitës, që grumbullon mbështetës të komunitetit serbë. Ata janë Andrija Mandiç dhe Milan Knjezheviç. Ata nuk ndodheshin në sallën e gjyqit kur u dha vendimi.

Sipas akuzës, 14 të dënuarit po përgatiteshin të pushtonin me dhunë sallën e parlamentit malazez ditën e zgjedhjeve të 16 tetorit 2016, për të sjellë pushtet një qeveri pro-ruse që do të parandalonte anëtarësimin e vendit në NATO dhe do të vrisnin Milo Gjukanoviçin që në atë kohë ishte kryeministër i vendit.

Tv Klan