guret-ne-temthGurët e tëmthit formohen kur lëngu i grumbulluar në fshikëzën e tëmthit mpikset ose ngurtësohet në copa të vogla materiali të ngjashme me gurët. Kjo sëmundje është e shpeshtë, por përsa i përket gjinisë prek më shumë femrat. Dr. Rozana Aleksi, Gastro – Hepatologe në një intervistë për tvklan.al ka shpjeguar shkaqet dhe simptomat që shfaqin gurët në tëmth. Ndodh që shumë njerëz me gurë në tëmth nuk kanë simptoma dhe quhen pacientë asimptomatikë.  Përsa i përket metodës së trajtimit të gurëve në tëmth Dr. Aleksi shotn se “Kolecistektomia (heqja e fshikezës së tëmthit) është opsioni i preferuar në trajtimin e gurëve. Trajtimi medikamentoz (terapia për shkrirjen e gurëve) dhe litotripsia kanë një shkallë të ulët kurimi dhe shkallë të lartë rikthimi të gurëve.Kolecistektomia mund të jetë me rrugë laparoskopike ose e hapur”.

Çfarë janë gurët e tëmthit?

Gurët e tëmthit formohen kur lëngu i grumbulluar në fshikëzën e tëmthit mpikset ose ngurtësohet në copa të vogla materiali të ngjashme me gurët. Lëngu, i quajtur bile (lëngu i tëmthit) ndihmon në tretjen e yndyrave të ushqimit. Bila (lëngu i tëmthit) prodhohet në mëlçi, pastaj depozitohet në fshikëzën e tëmthit derisa trupit t’i nevojitet për tretjen e yndyrave. Në ketë kohë fshikëza bën kontraksione të cilat shtyjnë bilen (lëngun e tëmthit) në një tub të quajtur duktusi biliar i përbashkët prej të cilit bila (tëmthi) kalon në zorrën e hollë duke ndihmuar në tretjen e ushqimeve. Bila përmban ujë, kolesterol, yndyra, kripëra biliare, proteina dhe bilirubine. Kripërat biliare shpërbejnë yndyrnat, ndërsa bilirubina i jep feçeve (jashtëqitjes) ngjyrën e verdhë.

Si formohen gurët në fshikzën e tëmthit?

Formimi i gurëve ndodh kur substanca të caktuara në bile janë në përqendrime që arrijnë limitin e tretshmërisë së tyre. Kur bila është e përqendruar në fshikëz, ajo mund të mbingopet me këto substanca të cilat precipitojnë në tretësirë si kristale mikroskopike. Kristalet ngecin në mukusin e kolecistës, duke prodhuar llumin biliar. Me kalimin e kohës, kristalet rriten, agregojnë dhe bashkohen për të formuar gurë makroskopikisht të duskshëm. Gurët e tëmthit mund të jenë gurë kolesterolike, gurë pigmenti ose të përzier. Gurët kolesterolike formohen kur bila (lëngu i tëmthit) përmban shumë kolesterol, shumë bilirubine, kripëra biliare të pamjaftueshme ose kur fshikëza e tëmthit nuk zbrazet plotësisht për arsye të ndryshme. Shkaku i formimit të gurëve të pigmentit nuk është sqaruar ende. Ato kanë gjasa të formohen tek personat që kanë: cirrozë hepatike, infeksion të traktit biliar, sëmundje gjaku të trashëguara (siç është anemia drepanocitare ku trupi prodhon shume bilirubin).

Cilët janë faktorët favorizues që sjellin krijimin e tyre?

Formimi i gurëve është një proces multifaktorial që përfshin faktorë konstitucional dhe ambiental. Disa faktorë, si dieta, aktiviteti fizik, humbja e shpejtë në peshë dhe obeziteti janë të ndryshueshëm ndërsa të tjerë, si mosha, gjinia, gjenetika dhe raca nuk mund të ndryshohen.

Obeziteti

Është një faktor rreziku për të krijuar gurë, veçanërisht tek gratë. Një studim i gjerë ka treguar që të qenit qoftë lehtësisht mbi peshë rrit rrezikun për të bëre gurë në tëmth. Kjo ndodh sepse obeziteti mund të reduktojë sasinë e kripërave biliare në bile (lëngun e tëmthit) duke çuar në përqendrim më të lartë të kolesterolit në të. Obeziteti gjithashtu ul aftësinë e fshikëzës së tëmthit për t’u zbrazur.

Estrogjeni (hormon femëror)

Sasia e shtuar e estrogjenit gjatë shtatzënisë, terapisë zëvendësuese me hormone dhe gjatë marrjes së kontraceptivëve orale, shton nivelin e kolesterolit në bile (lëngun e tëmthit) dhe pakëson lëvizjet e fshikëzës së tëmthit. Të dy këta faktorë së bashku çojnë në formimin e gurëve.

Etnia

Nuk kemi të dhëna të sakta përsa i takon popullatës së Shqipërisë.

Gjinia

Gratë e moshës 20 deri 60 vjeç janë dy herë më shumë të favorizuara për të bërë gurë në tëmth sesa burrat.

Mosha

Njerëzit mbi moshën 60 vjeç janë më të favorizuar për të bërë gurë në tëmth sesa të rinjtë.

Mjekimet për të ulur nivelin e kolesterolit

Medikamentet që përdoren për të ulur nivelin e kolesterolit në gjak rrisin sasinë e kolesterolit që sekretohet (derdhet) në bile (lëngun e tëmthit). Si pasojë rritet rreziku për formimin e gurëve të tëmthit Diabeti.

Në përgjithësi njerëzit që vuajnë nga diabeti kanë nivele të larta të acideve yndyrore të quajtura trigliceride. Këto lloj acidesh yndyrore rrisin rrezikun e formimit të gurëve të tëmthit.

Humbja e menjëhershme në peshë

Ndërsa trupi shpërben yndyrnat gjatë rënies së menjëhershme në peshë, mëlçia sekreton (derdh) më shumë kolesterol në bile (lëngun e tëmthit) gjë që çon në formimin e gurëve.

Mosngrënia (agjerimi).

Ul lëvizshmërinë e fshikëzës së tëmthit duke shkaktuar mbi përqendrim të biles me kolesterol, gjë që çon në formimin e gurëve.

Cilat janë simptomat?

Simptomatologjia e gurëve të tëmthit shpesh quhet “ataku” i gurëve, sepse ato ndodhin krejt papritur. Një atak tipik shkakton:

– Dhimbje të qëndrueshme në pjesën e sipërme të barkut që shtohet menjëherë dhe që zgjat nga 30 min në disa orë.

– Dhimbje në shpinë midis dy shpatullave

– Dhimbje nën shpatullën e djathtë

– Të përziera dhe të vjella

– Shpesh ataku i gurëve vjen pas një vakti të pasur me yndyra dhe mund të ndodhë gjatë natës.

Shenja të tjera mund të jenë:

– Fryrje barku

– Intolerancë e përsëritur ndaj ushqimeve yndyrore

– Dhimbje në formë kolikash

– Gromësira

– Gazra

– Mostretje

Njerëzit të cilët kanë njëkohësisht dhe ndonjë nga simptomat e mëposhtme duhet të takojnë menjëherë mjekun:

– të dridhura – temperaturë e lehtë

– zverdhje të lëkurës dhe të syve

– feçe të zbardhura

Shumë njerëz me gurë në tëmth nuk kanë simptoma. Këta quhen pacientë asimptomatikë dhe gurët e tyre quhen “gurë të heshtur”. Ata nuk ndërhyjnë në funksionin e fshikëzës së tëmthit, mëlçisë dhe pankreasit dhe nuk kanë nevoje për trajtim.

Kush janë të rrëzikuar të kenë gurë në tëmth?

– gratë

– njerëzit mbi 60 vjeç

– burrat dhe gratë mbipeshë

– rënia e menjëhershme në peshë

– gratë shtatzëna

– gratë që marrin terapi zëvendësuese hormonale

– gratë që përdorin kontraceptive orale

Si diagnostikohen gurët e tëmthit?

Shumë gurë të tëmthit në veçanti ata të heshturit zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimeve për probleme të tjera. Por, kur mendohet se gurët e tëmthit mund të jenë shkaktarët e simptomave, kërkohet kryerja e ekografisë së barkut. Ekografia përdor valët e zërit për të evidentuar praninë dhe për të bërë lokalizimin e gurëve. Ekografia është mënyra më sensitive dhe specifike për të diagnostikuar gurët. Që të bëhet një ekzaminim sa më i saktë duhet që pacienti të jetë esëll (pa ngrëne) që fshikëza të jetë e mbushur, duke lejuar vizualizimin e plotë dhe lokalizimin e gurëve.

Teste të tjera diagnostikuese që mund të përdoren janë:

Tomografia e kompjuterizuar (CT) skaneri i cili tregon praninë e gurëve ose komplikacionet e mundshme .

Rezonanaca magnetike kolangiografike e cila mund të diagnostikojë duktuset biliare të bllokuara

Koleshintigrafia (HIDA skaner) i cili përdoret për të diagnostikuar anormalitë e kontaksioneve (tkurrjeve) të fshikëzës së tëmthit dhe obstruksionet (bllokimet). Në këtë test pacientit i injektohet në venë një material radioaktiv i cili shkon në fshikëzën e tëmthit, e cila më pas stimulohet për t’u kontraktuar.

Kolangiografia endoskopike retrograde (ERCP):

– faza e parë e ekzaminimit kryhet njësoj si gastroskopia dhe kur mjeku ka arritur në fillimin e zorrës së hollë ai injekton një ngjyrues të veçantë i cili qëndron përkohësisht në duktuset e sistemit biliar.

ERCP përdoret për të lokalizuar dhe për të hequr gurët në duktuse.

Teste laboratorike te gjakut

Testet e gjakut përdoren për të parë:

– shenjat e infeksionit,

– obstruksionit (bllokimit),

– pankreatitit (inksionit të pankreasit) ose të verdhëzës.

Çfarë iu rekomandohet pacientëve që kanë probleme me gurët e tëmthit?

Kolecistektomia (heqja e fshikezës së tëmthit) është opsioni i preferuar në trajtimin e gurëve. Trajtimi medikamentoz (terapia për shkrirjen e gurëve) dhe litotripsia kanë një shkallë të ulët kurimi dhe shkallë të lartë rikthimi të gurëve. Kolecistektomia mund të jetë me rrugë laparoskopike ose e hapur. Indikacioni për heqje, koha e heqjes apo mënyra se si është objekt diskutimi. Pacientëve me gurë që kanë simptoma zakonisht iu rekomandohet kolecistektomi. Po kështu, shumica e kirurgëve rekomandojnë kolecistektomi pas një komplikacioni. Kjo për shkak të rriskut të lartë të rekurencës së kolecistitit dhe komplikacioneve të tjera.

Cilat janë metodat e trajtimit të kësaj sëmundje?

Gurët e tëmthit gjenden shpesh në pacientë pa shqetësime gjatë një ekografie të barkut, pasi shumica e gurëve (60 – 80%) nuk shkaktojnë simptoma. Ama, prania e mikrogurëve dhe llumit biliar është faktorë risku kryesor për kolikat biliare dhe komplikacionet gjithashtu luan rol kryesor si shkak i pankreatitit. Trajtimi i pacientëve pa simptoma nuk rekomandohet zakonisht. Pritja konsiderohet si zgjedhja më e përshtatshme në këta pacientë.Vendimi është i ndryshëm në pacientët që kanë simptoma, në të cilët kirurgjia (kolecistektomia laparoskopike) përfaqëson “standartin e artë” për trajtim. Shkrirja me kripëra biliare hidrofilike luan një rol të kufizuar. Litotripsia ka humbur popullaritetin për shkak të potencialit për efekte anësore dhe rikthime të sëmundjes.

Trajtimi kirurgjikal

Heqja me kirurgji e fshikëzës së tëmthit është mënyra më e shpeshtë e trajtimit të gurëve simptomatike. Kirurgjia në këtë rast quhet kolecistektomi. Metoda më e shpeshtë dhe më e mirë e heqjes kirurgjikale të fshikëzës së tëmthit është kolecistektomia laparoskopike. Kjo lloj ndërhyrjeje kryhet nëpërmjet tre çarjeve të vogla milimetrike të barkut, ku futen instrumentat kirurgjikal me një kamera të vogël. Për shkak se muskujt e murit të barkut nuk janë prerë, gjatë procudrës laparoskopike ka më pak dhimbje dhe më pak ndërlikime në krahasim me kirurgjinë e hapur, ku behet një çarje e madhe e barkut. Pacientit i duhet të qëndrojë në spital vetëm një natë pas kësaj procedure. Në qoftë se mjeku kirurg zbulon pengesa për të kryer kirurgjinë endoskopike si psh; infeksion apo cikatrice të operacioneve të tjera, atëherë ndërhyrja bëhet me kirurgji të hapur. Quhet kështu sepse mjekut kirurg do t’i duhet të bëjë një prerje të barkut rreth 15 – 17 cm për të hequr fshikëzën e tëmthit. Kjo është kirurgji që kërkon hosptializimin e pacientit 2 – 7 dite. Komplikacioni më i shpeshtë i kirurgjisë së fshikëzës së tëmthit është dëmtimi i duktusve biliare.  Në qoftë se gurët ndodhen në duktusin biliar atëherë mund të kryhet Kolangiografia Endoskopike Retrograde (ERCP)

Trajtimi jo kirurgjikal

Ky lloj trajtimi përdoret vetëm në raste të veçanta, psh: pacienti ka situatë serioze mjekësore që nuk lejon kryerjen e kirurgjisë dhe vetëm në rastet e gurëve kolesterolike. Gurët zakonisht riformohen pas trajtimit jo kirurgjikal Terapia me tretës orale.

Medikamente me përbërje të acidit biliar përdoren për të tretur gurët. Mund të jenë të nevojshëm muaj ose vite të tëra trajtimi për të tretur gurët kolesterolike. Këto medikamente kanë si efekt anësor diarre të lehtë dhe mund të rrisin lehtësisht nivelet e kolesterolit dhe enzimave hepatike në gjak.

Terapia me tretje direkte

Kjo procedurë eksperimentale konsiston në injektimin e medikamenteve direkt në fshikëzën e tëmthit për të tretur gurët. Metil terbutil eteri mund të shpërbeje gurët në 1- 3 ditë, por duhet bërë shumë kujdes sepse është substancë shumë toksike. Kjo procedurë mbetet akoma eksperimentale.

Sjell shqetësime nëse hiqet fshikëza e tëmthit?

Fatmirësisht njerëzit mund të jetojnë pa fshikëzën e tëmthit. Heqja e saj nuk kërkon ndryshime në dietë. Kur fshikëza e tëmthit hiqet, bila rrjedh jashtë mëlçisë nëpërmjet duktusit hepatik në duktusin biliar të përbashkët dhe menjëherë kalon në zorrën e hollë në vend që të grumbullohet në fshikëzën e tëmthit. Gjithsesi, meqenëse bila nuk qëndron në fshikëzën e tëmthit, por zbrazet menjëherë dhe shpesh në zorrën e hollë mund të shkaktojë diarre në 1% të njerëzve.

Intervistoi: Vilma Kërçiku