Alba Ruço mban në emrin e saj prestigjin e një prej kompanive më prestigjioze, argjendari “Pirro”. Babai i saj është ndër profesionistët më të mirë të fushës dhe Alba e ka ndjekur rrugën e tij duke u bërë gjemologia e parë në Shqipëri.
Gjithë familja është e angazhuar në sipërmarrje duke u përpjekur gjithmonë të sjellë cilësinë më të lartë, dizajnet unike dhe jo vetëm bizhu, por edhe vepra arti. Në intervistën me “Rudina” në Tv Klan, Alba shprehet se edhe e ëma është po kaq e përfshirë, madje i referohet me një fjali shumë të ëmbël.
“Mami është një motor prodhimi, e kemi gurin më të çmuar”.
Alba është edhe nënë e një djali 6-vjeçar, Abelit. Edhe në këtë aspekt, mamaja e saj ka ndikuar përmes mësimeve e këshillave që i ka injektuar.
“Këshilla më e rëndësishme që më ka dhënë mua mami? Gjithmonë më ka thënë ta dua familjen, edhe familjen nga vij, edhe familjen e re që kam krijuar. Çdo gjë zgjidhet, nga ajo kam mësuar që çdo gjë riparohet, është si ajo filozofia kintsugi, japoneze që jo çdo gjë ë ndodh do e hedhim në kosh apo… do një fije ari aty dhe bëhet më e bukur se ç’ka qenë”.
Por nëna i ka dërguar edhe një mesazh vajzës së saj përmes një letre të shkurtër, por me fjalë vetëm siç mund të vijnë nga një nënë.
“Alba! Je një vajzë me shumë vullnet, je diell me buzëqeshjen tënde. Je një vajzë mjaft e ndjeshme por edhe shumë konstruktive që ke sjellë risi për biznesin. Për mua je dhe do të jesh dashuria e madhe sepse më ke bërë nënë për herë të parë. Fati të shoqëroftë përherë, vajza ime e bukur!”/tvklan.al