Një shfaqje që flet për familjen e ditëve tona, kriza dhe drama e prindërve që ndikon edhe në jetën e fëmijëve, të cilët nuk arrijnë të krijojnë një të ardhme të qetë. Pikërisht kjo është tema që trajton shfaqja “Gusht, portret familjar”, e cila çel sezonin artistik në ArTurbina.

Drama me tri akte e shkruar nga dramaturgu Tracy Letts, i cili sjell mesazhe mjaft aktuale edhe për shoqërinë shqiptare, vjen nën regjinë e Spiro Dunit. Por për të rrëfyer më tepër rreth shfaqjes ishin të ftuara në emisionin “Rudina” në Tv Klan, aktoret Luli Bitri, Flaura Kureta dhe Elia Zaharia Zogu.

Në vitin 2008, kjo shfaqje është vlerësuar si drama më e mirë më çmimin “Pulitzer”. Sipas autorit, karakteret e tij bazohen në personazhe të jetës reale, të cilët nuk arrijnë dot të shprehen në mënyrë letrare.

“Deri tani ka shkuar gjithçka mirë dhe besoj kështu do të shkojë deri në fund. Është fat të punosh nën regjinë e Spiro Dunit, sepse gjen shfaqje gjithnjë shumë të mira”,

tha Elia Zaharia Zogu.

“Është një dramaturgji brilante, një komedi e zezë, me nota dramatike të thella. Mendoj se gjithkush do ta gjejë veten. Nëpërmjet një të qeshure, spektatori do të marrë me vete edhe reflektim”,

tha Luli Bitri.

“Si tematikë vepra ka shkatërrimin e familjes Weston dhe për fat të keq besoj do ta gjejnë veten shumë familje shqiptare. Gjërat që po ndodhin sot në familjen shqiptare përkojnë me këtë vepër”,

tha Flaura Kureta.

“Gusht, portret familjar”, do të ngjitet premierë në skenën e  ArTurbina me datë 15 Shkurt, në orën 19.00.

/tvklan.al