Çmimet për të udhëtuar nga aeroporti i Rinasit në drejtim të destinacioneve europiane janë rritur me minimalisht 20% krahasuar me muajin Korrik nga të gjitha kompanitë e fluturimit.

Nëse për në Korrik biletat me itinerarin vajtje-ardhje fillonin nga 200 Euro për shkuar më pas në 500 apo 700 Euro, në mesin e muajit Gusht, destinacionet kryesore kanë një çmim prej 300 Euro deri në 800 apo dhe 1000 Euro.

Për të fluturuar në Itali, vend i cili dhe numrin më të lartë të fluturimeve nga Tirana, biletat kushtojnë minimalisht 300 Euro. Më të shtrenjta janë nisjet nga aeroporti i Tiranës. Një biletë Tiranë – Milano në datat  25 dhe 26 Gusht kushton mbi 200 Euro, e për tu kthyer në Tiranë çmimet mesatare janë 60 Euro.

Për të udhëtuar në si Parisi, Londra, Berlini apo Barcelona çmimet nisin nga 500 euro. Edhe pse sezoni i verës rrit gjithmonë çmimet e biletave, Shqipëria vazhdon të mbetet në listën e shteteve kryesore për vlerën më të lartë të tyre. Edhe për udhëtimet me linjat low cost, çmimet janë të njëjta me kompanitë e tjera të fluturimit, kjo pasi përveç rritjes së fitimeve nga kompanitë e fluturimit, koncesionari i Rinasit vendos ndaj tyre tarifa 2 deri në 3 herë më të larta se aeroportet e ngjashme të rajonit.

Udhëtarët nga Tirana këtë vit jo vetëm kanë paguar më shumë për të fluturuar por janë përballur edhe me vonesat më të mëdha. Në një raport të fundit të Eurocontrol, vonesat në 6 muajt e parë për fluturimet nga Shqipëria janë dyfishuar, ndërsa numërohen 47 mijë orë pritje nga ana e pasagjerëve.

Tv Klan