Gaza po bëhet një “varrezë për fëmijët”, ka thënë kreu i OKB-së, Antonio Guterres në një konferencë për shtyp, raporton BBC. Situata në Gaza është një “krizë e njerëzimit” dhe se enklava palestineze po “bëhet një varrezë për fëmijët”, është shprehur ai.

“Qindra vajza dhe djem thuhet se vriten ose plagosen çdo ditë”, thotë Guterres, i cili ka udhëhequr OKB-në që nga viti 2017. Ai shton se konflikti ka “tronditur botën” dhe “ka shkatërruar kaq shumë jetë të pafajshme”.

Guterres përsërit dënimin e tij për “aktet e neveritshme të terrorit të kryera nga Hamasi më 7 Tetor”, duke thënë se luftëtarët e tij kanë përdorur civilët si “mburoja njerëzore” dhe vazhdojnë të godasin Izraelin. “Asgjë nuk mund të justifikojë torturimin e qëllimshme, vrasjen, plagosjen dhe rrëmbimin e civilëve. Mbrojtja e civilëve duhet të jetë parësore,” thotë ai.

Ndërkohë lidhur me këtë deklaratë ka reaguar ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, i cili ka sulmuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

“Turp të kesh,” shkroi Cohen në X, duke etiketuar Guterres.

“Më shumë se 30 të mitur, mes tyre një foshnjë 9 muajshe, si dhe të vegjël dhe fëmijë që panë prindërit e tyre duke u vrarë, po mbahen kundër vullnetit të tyre në Rripin e Gazës. Hamasi është problemi në Gaza, jo veprimet e Izraelit për të eliminuar këtë organizatë terroriste”, ka shkruar ai./tvklan.al