Për javë të tëra në fillim të vitit të kaluar, guvernatori i shtetit të Nju Jorkut Andrew Cuomo doli në pah për mënyrën e trajtimit të shpejtë të situatës së krijuar nga pademia, ndërsa mbylli bizneset jo thelbësore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. E veçantë ishte edhe dalja e përditshme në konferenca shtypi për median amerikane ndërsa ai sulmonte reagimin e qeverisë federale ndaj situatës.

Me tre mandate guvernatori, 63-vjeçari demokrat u pa si një model për udhëheqjen e drejtpëdrejt mes krizës. Nga mesi i vitit të kaluar, pasi virusi u përhap me shpejtësi në mbarë Shtetet e Bashkuara, ai do të deklaronte se Nju Jorku, shteti i katërt më i madh amerikan me 19 milionë banorë, “kaloi nga situata më e keqe në vend ose në botë, në një ulje dramatike të infeksioneve”.

Por aktualisht, guvernatori Cuomo po përballet me dy kriza të krijuara nga vetë ai. Ai po akuzohet se minimizoi situatën e pandemisë në shtëpitë e të moshuarve në Nju Jork dhe për ngacmime seksuale ndaj dy grave të reja në ekipin e tij. Një goditje e rëndë për imazhin dhe seriozitetin e tij, ndërsa ka thirrje për dorëheqjen nga drejtimi i shtetit të Nju Jorkut.

Ai akuzohet se ka ulur ndjeshëm në deklaratat publike numrin e të vdekurve nga koronavirusi në shtëpitë e të moshuarve në shtetin e Nju Jorkut. Kjo shifër aktulisht është 15,000 krahasuar me 8,500 të raportuara më parë.

Një ndihmës i lartë i zotit Cuomo u tha ligjvënësve të shtetit të Nju Jorkut se zyrtarët kishin frikë se të dhënat “do të përdoreshin kundër tyre” nga hetime të mundshme federale nga Departamenti i Drejtësisë nën administatën e Presidentit Donald Trump, një kundërshtar i vjetër i demokratit Cuomo.

Aktualisht, njoftime të shumta të medias flasin për hetime nga Departamenti i Drejtësisë mbi numrin e vdekjeve në shtëpitë e të moshuarve në Nju Jork, edhe pse në krye të vendit ka ardhur demokrati Joe Biden, një aleat politik i zotit Cuomo.

Në rastin tjetër, demokrati Cuomo përballet me akuza për ngacmime seksuale nga dy gra që punonin në zyrën e guvernatorit.

Ligjvënësit e atij shteti, përfshirë disa kolegë demokratë të zotit Cuomo, kanë bërë thirrje për dorëheqjen e tij dhe hetime, pas daljes në skenë të numrit të madh të vekjeve në shtëpitë e pleqve dhe komenteve të tij të padëshiruara për gratë.

Një nga gratë, Lindsey Boylan, ish-zyrtare për zhvillimin ekonomik, pretendon se ai e kishte ngacmuar atë në disa raste që nga viti 2016 deri në vitin 2018, dhe pa dëshirën e saj e kishte puthur në buzë në zyrën e tij në qytetin e Nju Jorkut, pretendim që hidhet poshtë nga zoti Cuomo.

Akuzuesja tjetër, Charlotte Bennett, një ish-ndihmëse 25 vjeçare e guvernatorit, ngre pretendimin për ngacmim seksual vitin e kaluar. Ajo tha për gazetën New York Times se guvernatori e kishte pyetur atë për jetën e saj seksuale dhe nëse ajo kishte kryer mardhënie intime me burra të moshuar.

“E kuptova se guvernatori donte të flinte me mua dhe ndjehesha tmerrësisht keq dhe e frikësuar”, tha zonja Bennet për gazetën. “Pyesja veten si do të dilja nga situata dhe supozova që ishte fundi i punës time aty”. Në nëntor ajo la punën.

E pyetur lidhur me akuzat ndaj zotit Cuomo për ngacmime seksuale, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se zoti Biden beson se “çdo grua që ngre akuza duhet të trajtohet me dinjitet dhe respekt”. Zonja Psaki shtoi se, “Kjo vlen për Charlotte dhe Lindsey”, duke iu referuar dy akuzuesve të guvernatorit Cuomo.

Të dielën Cuomo e pranoi se mund të kishte bërë komente të papërshtatshme në bisedën me zonjën Bennet që mund të “ishin keqinterpretuar si një flirtim i padëshiruar”.

Guvernatori tha se komentet e tij ishin pjesë e jetës së tij të punës, ku në disa raste “i ngacmoj njerëzit lidhur me jetët dhe marrëdhëniet e tyre personale”.

“Tani e kuptoj që veprimet e mia mund të kenë qënë jo-sensitive ose shumë personale dhe që disa nga komentet e mia, duke patur parasysh postin, i bënë të tjerët të ndjehen në mënyra që nuk ka qënë qëllimi im”, tha Cuomo përmes një deklerate. “E pranoj që disa gjëra që kam thënë janë keqinterpretuar si flirtime të padëshiruara. Për ata që janë ndjerë ashtu, kërkoj ndjesë.”

Guvernatori Cuomo tha se do të lejonte prokuroren e përgjithshme të shtetit Letitia James, që të caktonte këdo që ajo dëshironte për të hetuar pretendimet për ngacmime seksuale./VOA