Konfirmohen me koronavirus 13 persona që kishin ardhur nga Tirana

Nga 16 raste me koronavirus në rajonin e Toskanës, 13 kanë qenë pasagjerë që vinin nga Tirana. Shifrat kanë alarmuar guvernatorin e rajonit të Toskanës, që ka kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për fluturimet nga jashtë zonës Shengen në terminalin e Pizës dhe të Firences dhe për të gjithë ata që mbërrijnë në Toskana, pasi kanë zbritur në aeroporte të tjera.

“Duhet që qeveria të reagojë, në veçanti Ministria e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë”, ka qenë kërkesa e Rosit, duke marrë parasysh trafikun e dendur të fluturimeve në terminalet e Pizës dhe Firences.

Kërkesa ka të bëjë me verifikimin e gjendjes së atyre që mbërrijnë në Itali, qoftë edhe të atyre që kanë planifikuar udhëtime, ose janë kthyer tashmë nga vendet jashtë zonës Shengen.

“Nëse gjurmimi i pasagjerëve dhe mbikëqyrja e tyre nuk do të jetë e mundur, do të mbetet vetëm një opsion“, thotë Rosi: “Të bllokojmë fluturimet”.

Kjo masë, sipas mediave italiane, është në zbatim për shtetasit që vijnë nga Bangladeshi, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.

Më herët, siç raportojnë mediat e vendit fqinj, Rosi ka kontaktuar konsullatat e vendeve si Shqipëria, Peruja dhe Bangladeshi, që janë edhe shtetet nga ku janë konfirmuar rastet me koronavirus, që pas 13 Korrikut.

Problemi më i madh gjithsesi mbeten pasagjerët që mbërrijnë në Toskanë, pasi kanë hyrë në Itali përmes aeroporteve të tjera.

“Për këtë arsye, duhet vënë në lëvizje qeveria, deri kur gjurmimi të jetë i plotë: kompanitë e fluturimeve i kanë të gjitha të dhënat për pasagjerët”, shton Rosi, duke përsëritur rrezikun e riaktivizimit të koronavirusit, sipas mediave italiane.

Tv Klan