Bashkimi Europian ka reaguar në lidhje me deportimin nga Kosova të 6 shtetasve turq të konsideruar si “gylenistë” dhe që akuzohen për grushtin e shtetit në Turqi.

Zëdhënësja e BE, Maja Kocijancic deklaroi se veprimet proceduriale, arrestimi dhe deportimi i tyre nga Kosova, vë në pikëpyetje nëse është zhvilluar një proces i rregullt ligjor.

“Sundimi i ligjit është një parim themelor i Bashkimit Evropian. Në përputhje me vendosmërinë e saj për të ndërtuar një të ardhme të lirë dhe demokratike dhe siç përcaktohet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, të gjitha veprimet e institucioneve vendore të Kosovës kanë si detyrim respektimin e plotë të sundimit të ligjit si dhe nxitjen e respektit universal për të drejtat e liritë themelore të njeriut. Procedurat arbitrare në lidhje me arrestimin, ndalimin ose deportimin janë kundër këtyre parimeve”

, thotë zëdhënësja e Bashkimit Europian.

Ekstradimi i 6 “gylenistëve” nga Kosova, ka përçarë qeverinë kosovare. Kryeministri Ramush Haradinaj shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm dhe kreun e Inteligjencës që operacionin në bashkëpunim me Turqinë e mbajtën të fshehtë. Ndërsa partia e Behgjet Pacollit, që është në koalicionin qeveritar, ka kundërshtuar shkarkimin e ministrit të saj.

Një ditë më parë, reagoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, duke shprehur mbështetjen për Kryeministrin Ramush Haradinaj në hetimin për mënyrën e dëbimit të “gylenistëve”.

/tvklan.al