Presidenti amerikan Donald Trump u ka thënë qytetarëve që të votojnë dy herë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në SHBA në muajin Nëntor.

Gjatë vizitës në Karolinën e Veriut, Trump u sugjeroi votuesve që të votojnë një herë personalisht dhe një herë ta dërgojnë votën me postë, edhe pse të votosh dy herë është e paligjshme.

Siç dihet, Trump është kundër votimit me postë, pasi thotë se nuk ofron garanci vote dhe mund të bjerë pre e mashtrimeve elektorale.

“Le t’i dërgojnë me postë dhe më pas le të shkojnë të votojnë. Dhe nëse sistemi është kaq i mirë sa pretendojnë, atëherë padyshim që qytetarët nuk do të jenë në gjendje që të votojnë personalisht”, tha Trump për një televizion amerikan.

Pas këtyre komenteve të Presidentit amerikan, ka reaguar Prokurori i Përgjithshëm i Karolinës së Veriut, i cili në një postim në Twitter ka shkruar se Trump “inkurajoi me egërsi” qytetarët në këtë shtet që të thyejnë ligjin për të shkaktuar kaos në zgjedhje. “Votoni, por mos votoni dy herë”, iu drejtua qytetarëve prokurori Josh Stein.

Demokratët kanë akuzuar Presidentin Donald Trump dhe Partinë Republikane se po përpiqen të shtypin votat e qytetarëve duke kërkuar heqjen e votimit me postë. /tvklan.al