Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kanë aprovuar konkluzione të njëjta për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Në këto konkluzione, thuhet se nisur nga koha e kufizuar dhe rëndësia e vendimit, Këshilli do t’i rikthehet hapjes së negociatave me dy vendet në fund të Tetorit për një vendim të qartë dhe substancial.

Presidenca rumune ka dhënë shpjegimin e saj për TV Klan për arritjen e konkluzioneve të njëjta për dy vende, ndërkohë kur disa shtete anëtare bëjnë një diferencim të dukshme midis tyre.

“Së pari, ne duhet të jemi të ndershëm dhe të themi që ne arritëm sot atë që mendonim dje se ishte e pamundur për t’u arritur. Së dyti, ne e ruajtëm për Maqedoninë e Veriut vlerën e marrëveshjes së Prespës . Kjo është e rëndësishme dhe i përgjigjet në një mënyrë edhe pyetjes tuaj“, tha ministri i Jashtëm i Rumanisë, George Ciamba.

I pyetur nga Financial Times nëse Komisioni Europian është i shqetësuar për situatën në Shqipëri dhe përgjimet e Bild, duke venë në pah se aktualisht shtetet anëtare nuk duken të gatshme të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, komisoneri Hahn dha këtë përgjigje: Po të shohësh sot situatën politike në Shqipëri mund të jesh i shqetësuar, veçanërisht përpara zgjedhjeve lokale. Por është e rëndësishme të ndajmë se çfarë është rënë dakord mes Shqipërisë dhe BE, bazuar në vendimin unanim të vendeve anëtarë. Ishin 5 prioritete kyçe për Shqipërinë që duhet të përmbushte, dhe në vlerësimin tonë ato janë përmbushur, veçanërisht në fushën juridike, në reformën në drejtësi, e paprecedentë në dimensionet e saj. Tetë nga 9 gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese janë dorëhequr në sajë të Vettingut që monitorohet nga ndërkombëtarët, jo vetëm europianët por edhe amerikanët. Por s’mund të injorojmë zhvillimet politike që më duhet të them se po ndikojnë në qëndrimin e disa vendeve anëtare, por shpresoj që deri në Tetor të ndryshojmë mendimet e tyre. Është çështje prespektive, unë preferoj të shoh gotën gjysmë-plot.

Komisioneri për zgjerimin thotë se konkluzionet e Samitit të Luksemburgut duhet të shërbejnë si një këmbanë zgjimi për politikën shqiptare.

“Ne po përballemi me disa probleme institucionale, por nuk e fsheh se ka disa shqetësime të disa shteteve anëtare lidhur me situatën e brendshme të Shqipërisë dhe shpresoj që kjo të jetë një këmbanë zgjimi për qeverinë dhe opozitën. Sot pata një diskutim shumë konstruktiv me Sekretaren e Shtetit të Francës që argumentojnë se Bashkimi Europian duhet reformuar para zgjerimit, ndërkohë që të dyja proceset mund të bëhen paralelisht”.

I pyetur nga mediat maqedonase nëse do të ndante Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut nëse do të kthehej pas, komisioneri Hahn u përgjigj Jo i vendosur, pas siç tha, të dy vendet i kanë plotësuar kriteret.

Tv Klan