Aktet e dhunshme në protestat e opozitës, që u shoqëruan me hedhjen e bombave molotov ndaj institucioneve, mund të minojnë hapjen e negociatave të Shqipërisë këtë Qershor. Paralajmërimi vjen nga Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili në një intervistë për Deutsche Welle thotë se pamjet që vijnë nga Shqipëria u krijojnë qytetarëve europianë përshtypjen e një vendi nuk përmbush kushtet për të hedhur një hap të tillë.

“Imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Evropian. Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë pasi dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë”.

Hahn nuk përjashton mundësinë që Maqedonia e Veriut të parakalojë Shqipërinë në këtë proces, pasi sipas tij, vendi fqinj jo vetëm që ka zgjidhur mosmarrëveshjet me fqinjët, por ka sheshuar edhe përplasjet e brendshme politike për emrin.

“Synimi im është që të dy këto vende të trajtohen njëherazi, sepse edhe raportet do të vendosen njëherazi. Por unë nuk mund ta parashikoj se si do të vendosin vendet anëtare. Fakt është se Maqedonia e Veriut ka kontribuar shumë dhe konkretisht, jo vetëm në kuadër të kërkesave tona, por edhe duke kapërcyer grindjen për çështjen e emrit. Është e padrejtë ndaj atyre që janë angazhuar më shumë, që kanë arritur të gjejnë zgjidhje, që janë të aftë për kompromise, që janë në gjendje të sjellin rezultate. Këta nuk duhet të dënohen tani meqë janë më mirë se të tjerët”.

Sipas Komisionerit të Zgjerimit, është përgjegjësi e të dyja palëve politike në Shqipëri të angazhohen për të mos dëmtuar perspektivën evropiane të vendit.

“Unë mund t’i inkurajoj të gjithë përgjegjësit politikë që t’i kthehen punës parlamentare. Është detyrë e qeverisë që t’i afrohet opozitës dhe detyrë e opozitës që të vetëpërfshihet në mënyrë konstruktive, kritike por edhe të angazhuar”.

Hahn u kujton aktorëve politikë në vend se çdo vendim i tyre ka të bëjë edhe me imazhin që Shqipëria jep në planin ndërkombëtar.

Tv Klan