Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Bashkimit Europian, Johannes Hahn shpreh besim se Bashkimi Europian do të japë një vlerësim pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë në Qershor. Në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, ai vlerëson reformat e kryera nga Shqipëria.

“Shqipëria ka bërë një progres të mirë mbi kriteret e vendosura nga vendet anëtare me një reformë në gjyqësor gjithëpërfshirëse dhe shembullore. Ndaj pritshmëria legjitime e Shqipërisë duhet të vlerësohet nga vendet e Bashkimit Europian. Megjithatë përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, fusha me interes të veçantë për shtetet anëtare, duhet të intensifikohen. Kam besim se në fund të Majit, Komisioni Europian do të formulojë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbi bazën e kritereve të adoptuara në unanimitet nga vendet anëtare”.

Por i pyetur për skepticizmin e disa vendeve si Franca, që nuk e shohin me sy të mirë zgjerimin në këto momente, Hahn thotë se në rast të shtyrjes afrimit me vendet e Ballkanit Perëndimor do të kishte pasoja dramatike për rajonin.

“Perspektiva e pranimit për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor u riafirmua njëzëri nga shtetet anëtare të BE-së në Samitin e Sofjes vitin e kaluar. Dhe kjo është në interesin e BE, sepse nëse nuk eksportojmë në mënyrë të vazhdueshme stabilitet te fqinjët tanë do të importojmë paqëndrueshmëri. Ka të bëjë me besueshmërinë e BE-së. Ishin vetë shtetet anëtare që fiksuan Qershorin si datë për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një shtyrje dhe mosnjohje objektive e progresit të vendeve kandidate do të kishte pasoja dramatike për të tërë rajonin”.

Hahn komenton edhe samitin e Berlinit më 29 Prill për çështjen e Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar se qëllimi është zhbllokimi i dialogut mes dy vendeve të cilët duhet të gjejnë me njëri tjetrin një marrëveshje të qëndrueshme.

Tv Klan