Eurokomisioneri Johannes Hahn nuk mori atë që priste nga takimi me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Përshtypjet i bëri publike në një konferencë pa praninë e kreut të qeverisë kosovare.

“Ne të gjithë kemi qenë të befasuar dhe të zhgënjyer kur u njoftuan tarifat doganore, fillimisht 10% dhe më pas 100%. Kjo është diçka që duhet zhbërë”.

Më herët Kryeministri Ramush Haradinaj e tha qartë se masa e vendosur nga qeveria e tij, mund të hiqet vetëm në një mënyrë.

“Kjo tarifë anulohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Ndoshta na duket shumë larg kjo, por ne do të punojmë që tani që të nënshkruajmë një marëveshje gjithëpërfshirëse, borxhet, të zhdukurit, të drejtat e komunitetit serb dhe njëra nga këto do të jetë tregtia e lirë mes Kosovës dhe Serbisë”.

Haradinaj tha se kishte prekur edhe çështjen e vizave me komisionerin për zgjerim, por ky i fundit ishte shprehur skeptik nëse do të ketë liberalizim këtë vit.

Pas vizitës së Hahn në Prishtinë, reagoi edhe Kryeministri Rama, i cili shkruan se “Kosova nuk ka fituar asgjë me politikën konstruktive”. “Taksa nuk duhet gjykuar – thekson Rama – por është një klithmë që duhet dëgjuar”.

Tv Klan