Hajdari: Do të vazhdoj betejën për listat pavarësisht kërcënimeve


Hajdari: Do të vazhdoj betejën për listat pavarësisht kërcënimeve

14:52 22/09/2020

Rudina Hajdari deklaroi këtë të martë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik se ka propozuar renditjen e deputetëve në rend alfabetik për listat e ardhshme. Në këtë mënyrë sipas saj vendosin qytetarët për deputetët dhe jo kryetarët e partive. Madje propozimin e saj e ka mbështetur opozita jashtëparlamentare.

“Propozova një renditje në rendin alfabeti, ku listat zgjidhen nga qytetari dhe jo nga partia. Opozita jashtëparlamentare ka mbështetur këtë propozim. Gjiknuri qëndron tek ideja që propozimi i tyre mbështet listat e hapura ndërkohë që nuk është e vërtetë. Me propozimin e PS, kryetari ka ende fuqinë që të zgjedhë deputetët që do të çojë në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Hajdari.

Opozitarja foli edhe për tentativa kërcënimesh ndaj saj sepse do të vazhdojë të luftojë për listat e hapura.  

“Premtimet që unë bëj i marr seriozisht. Në Këshill anëtarët, kryesisht çojnë përpara apo luftojnë për interesat e kryetarit të tyre. Ne nuk mund të vijmë në Këshill për të çuar kërkesat e kryetarëve të tyre. Duhet të marrë fund kjo histori. Nuk do bëj asnjë marrëveshje në kurriz të shqiptarëve, do të bëj çfarëdolloj sakrifice për ta çuar këtë gjë deri në fund. Boll më me pazare, boll më me marrëveshje të fshehta pas kurrizit të shqiptarëve, pas kurrizit të vendit tonë dhe boll më me këto lloj abuzimesh sepse po flasim për taksat e shqiptarëve. Unë do ta vazhdoj këtë betejë pavarësisht se mund të ketë nga ata që do të tentojnë edhe të më kërcënojnë edhe të më shantazhojnë, të më nxjerrin në rrugë të tjera që unë të negocioj për këtë propozim që kam bërë”, tha Hajdari./tvklan.al



Të ngjashme